Sulmohet zyrtari policor, i dyshuari ikën pas incidentit

Një incident i rëndë është raportuar dje në autoudhën “Ibrahim Rugova”, ku një zyrtar policor ka qenë viktimë e një sulmi fizik nga një person ende i paidentifikuar, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në afërsi të fshatit Ternje – Suharekë, teksa zyrtari policor po lëvizte jashtë detyrës zyrtare në drejtim të Prishtinës.

Ai kishte vërejtur dy automjete të ndaluara në shiritin anësor të autoudhës dhe, për shkak të mjegullës së dendur dhe kushteve të rrezikshme për qarkullim, u kishte kërkuar personave të merrnin masa sigurie për të shmangur ndonjë aksident.

Në ato momente, një person i panjohur, që dyshohet të ketë qenë me një autobus, e ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas incidentit, zyrtari është paraqitur në Stacionin Policor Suharekë rreth orës 21:30, ku ka raportuar rastin, ndërsa më herët ka marrë tretman mjekësor në QKMF Suharekë.

Burimet e besueshme, nga struktura të afërta me hetimin, bëjnë të ditur se Policia ka nisur kërkimet për identifikimin e të dyshuarit, por deri në këto momente ai nuk është hasur.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar dhe po hetohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *