div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tag tag-albin-kurti tag-65 custom-background wp-custom-logo paged-4 tag-paged-4 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kurti: Jam krenar që udhëheq vendin më demokratik në rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është krenar që udhëheq vendin më demokratik në rajon.

Të paktën, kështu ka shkruar ai në X, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, jam krenar që udhëheq vendin më demokratik në rajonin tonë dhe një nga demokracitë me përparimin më të shpejtë në botë”, ka shkruar Kurti.

 

 

Po ashtu, i pari i qeverisë ka rikonfirmuar se Kosova qëndron krahë partnerëve demokratë dhe aleatëve në mbarë botën “për të punuar së bashku për të siguruar edhe një herë që qeveria e popullit, nga populli, për popullin, të mos humbasë nga dheu”.

E megjithatë, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit, Kurti thotë se “puna jonë është ende e paplotë. Le të kujtojmë se sa shumë kemi luftuar për të arritur në këtë pikë – dhe sa fort duhet të luftojmë ende për të mbrojtur demokracitë e botës nga kërcënimet binjake të autoritarizmit nga brenda, dhe agresionit nga jashtë”.

Hoti: Qeveria aktuale pa asnjë rezultat – është forcuar besimi në vlerat politike e tradicionale të LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se Kryesia e Degës së LDK-së në Rahovec ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se nuk ka asnjë rezultat, ndërsa shton se janë të vendosur e të përgatitur për të arritur tek secila familje për të kërkuar besimin për qeverisjen e ardhshme të Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë:

Në Kryesinë e Degës së LDK-së biseduam për aktivitetet në muajt në vijim në përgatitje për procesin zgjedhor.

1. Kemi mbledhur energji të reja në degë, përfshirë kandidatin për deputet nga qytetit i Rahovecit, Enis M. Durguti

2. Është forcuar besimi në vlerat politike e tradicionale të LDK-së, në veçanti për shkak të qeverisjes aktuale pa asnjë rezultat, e cila e ka izoluar vendin, ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka bllokuar integrimin euro-atlantik të Kosovës.

3. Jemi të vendosur e të përgatitur për të arritur tek secila familje për të kërkuar besimin për qeverisjen e ardhshme të Republikës së Kosovës.

Bekë Berisha: Për katër vite, përveç urës Saradranit, i keni rregulluar edhe mikrofonat në Kuvend, bravo

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke ngacmuar pushtetin për punët që kanë bërë për 4 vite.

Berisha ka thënë se përveç urës së Saradranit, pas katër vitesh, janë rregulluar edhe mikrofonat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Po më gëzon fakti që Kuvendi i ka ndreq mikrofonat, pas urës Saradranit, kanë arrit me i ndreq edhe mikrofonat. Tash do të kemi mundësi me folë edhe për arritjet tjera. Më urë të Saradranit, me mikrofona, krejt i keni kry, bravo”, ka ironizuar Berisha.

Abdixhiku nga Kuvendi u drejtohet qytetarëve: Refuzojeni këtë pushtet që i pati të gjitha dhe nuk dha asgjë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar pushtetin për kthim mbrapa e dëm të sovranitetit të vendit gjatë këtij mandati.

Ai tha se janë “rrotulluar tavolinat” dhe tash Kosova është e ndëshkuar nga aleatët e Serbia jo.

“Po e nisim seancën e parë të sesionit vjeshtor, fatmirësisht të fundit të kësaj legjislature, fatkeqësisht në gjendje të pandryshueshme si katër vite më parë – për më tepër në gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin tonë dhe të ardhmen që ëndërrojmë. Po e nisim këtë seancë me ndjenjë e ndasive të mëdha shoqërore brenda nesh ku akuzat e tradhtisë e Serbisë janë veçse gjuhë e rëndomtë sikurse edhe ndjenjën e thellë të izolimit tonë kombëtar ku ne ndonëse të vetëm mbesim megjithatë krenarë. Në pabesinë më të madhe historike kemi zënë vendin e ankuesve të aleatëve tonë, i sulmojmë ata dhe i godasim për të marrë në fund asnjë rezultat veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend europian. Prandaj, për katër vjet nuk kemi as edhe një njohje, prandaj për katër vjet ne nuk kemi asnjë anëtarësim, prandaj ne Republika e Kosovës jemi nën masa e nën sanksione. Një politikë e tillë disfatiste e njohim shumë qartë”.

“E kemi mundur 25 vite më parë. Ne njerëzit e lirë të Republikës së Kosovës. Veçse ne ishim vetë dhe u bëmë aleatë. Ne ishim në të drejtën tonë edhe në sytë e të tjerëve, ne ishim të suksesshëm në rrugën e vështirë të njohjeve e anëtarësimeve e kundërshtarët tonë i lanë në sanksione, të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike. Duket se koha ka rrotulluar tavolinat, kështu ndodh kur në momente të rëndësishme historike udhëhiqesh nga politika të papërgjegjshme, populiste e në kriza përplot mllef e urrejtje ndaj gjithësecilit”.

Abdixhiku tha se “katër vite janë të mëdha për të bërë ndryshim të madh mbrapsht”, ndërsa akuzoi Qeverinë Kurti për goditje të shtetësisë së Kosovës me vendimin e BE-së për njohjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

“Në këtë rrotullim tavolinash shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i BE-së i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. Ta kuptojmë për pak këtë gjendje fatale për Republikën. BE njeh autoritetin shtetar serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës, 17 vite pas pavarësisë, 25 vite pas lirisë. Si mund të mburremi ne me një përfundim të tillë? Ku qenka suksesi i sjelljes sonë gjoja sovrane?”.

Kreu i LDK-së përmendi mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit dhe për këtë bëri përgjegjëse Qeverinë.

“Dhe në këtë rrotullim tavolinash, jemi në prag të përjashtimit edhe nga Procesi i Berlinit, për të humbur kështu përfundimisht barabarësinë e trajtimit mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ta kuptoni mirë, këto janë pasoja serioze të kësaj politike. Kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tanë historikë e rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar. Të kuptoni mirë se përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota, qëndrojnë humbjet e mëdha të vet shtetit e Republikës.

Natyrisht se populizmi nuk e kupton këtë brengë. Përkundrazi, populizmi e populistët kanë nevojë për polarizim të mëtutjeshëm. Për ndarje sa më të thellë. Ne dhe ju; sa më larg, sa më të ndarë”.

Abdixhiku këtu përmendi edhe rastin me urën dhe kritikoi për një “ngritje të pyetjes” nëse je për apo kundër hapjes.

“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishin për, në fund disi ngrihet pyetja a je për apo kundër, këndej apo andej urës? Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, për ta thënë shkurt, shqip qartë! Sepse, ka një vijë që se kalojmë dot – NATO dhe Kosova janë një, bashkë – asnjëherë përballë! Ky është orientim popullor i Kosovës dhe ju garantoj, se asnjë dëshirë – sado e errët ekstremiste, nuk mund as ta testojë edhe më pak ta ndryshojë këtë orientim. Por ja që, përveç Ures së Ibrit, ka dhe një urë tjetër, këtu në Badovc. Aty nuk ka NATO, aty nuk ka media, aty nuk ka asnjë pengesë të vetme që kjo urë të përfundojë. Tash e sa vite, mijëra vetura në ditë, kapërcejnë nëpër rrugën që s’ka urë. Por qeverinë nuk i ke aty. As duke lyrë, as duke testuar, aq më pak duke e ndërtuar atë”.

Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë edhe për politikën e brendshme.

“Dhe kjo është zgjedhja jonë sot. Zgjedhja mes një politike që krijon temë të brendshme elektorale pa asnjë rezultat shtetar, përkundrazi me ngufatje të subjektivitetit tonë ndërkombëtar; apo një politike që ndërton e krijon, që pas katër viteve, me 51% e me 12 miliardë euro buxhet, është në gjendje t’i numërojë së paku tri projekte me rëndësi që i ka lënë për këtë vend. Një politikë që nuk ngritët në mëngjes për t’i hartuar plot 10 ligje kundërkushtetuese, për të atakuar më pas secilin mendimtar më ndryshe, për ti sulmuar gjyqtarët që kundërshtojnë tendencat autokratike e për ti mbrojtur të korruptuarit e mafisë energjetike. Nuk kemi nevojë për një politikë që jeton për t’i sulmuar mediat, bizneset e gjithë korpusin jopartiak të tyre; por një që bën një spital të ri, u jep ushqim fëmijëve në shkolla, përfundon rruga e autostrada disakilometërshe, ndërton centrale me gaz, siguron energji, zbutë deficitin tregtar, e krijon paga të larta, punë të denja, jetë të mirë të për secilin qytetar!”.

Ai tha se lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon dhe – siç tha- me të dhe një politikë e zymtë, përplasëse e ndarëse.

“Kosova është shumë e pasur për të qenë kaq e kurthuar. Është shumë e vlefshme për të mbetur kaq mbrapa e në fatin e ankuesve. Ne kemi ëndërruar me të drejtë një shtet te pasur, të konsoliduar, të zhvilluar me suksese brenda e jashtë; dhe askush, asnjëherë, për asnjë çmim s’ka të drejtë të na ndajë nga kjo ëndërr sa e drejtë aq edhe e mundur”.

Në fund Abdixhiku pati një thirrje për qytetarët e Kosovës.

“Dhe nga kjo foltore e këtij Kuvendi i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës, ata që nuk ndjenjë komfort në ndarjen tonë të brendshme, nuk ndjenjë satisfaksion në izolimin tonë të jashtëm, të rreshtohen prapa refuzimit të madh që duhet t’i bëjmë këtij pushteti! I patën të gjitha, nuk dhanë asgjë! Jemi vetëm 5 muaj larg nga qëllimi ynë i mbarë. Me zgjedhje të reja, me qeveri të re, me ide të reja, e ardhmja që e kemi kërkuar gjithherë është thjeshtë e ndritshme dhe e mundshme!”./Express/

Abazi: Kurti më gjatë flet për Ivanovoqin se për Rugovën, Kurti është në panik për vota

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka thënë në “Pressing” të  T7 se kryeministri i Kosovës Albin Kurit, më gjatë flet për Ivanovoqin se për Rugovën.

Ai ka thënë se Albin Kurti është në panik për vota para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Abazi ka komentuar ngritjen e shtatores në Podujevë së ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, ku në ceremoni mori pjesë edhe Kurti.

Por, Abazi tha se e brendshmja e Kurtit nuk e lejon atë ta vlerësojë Rugovën, duke thëksuar se më gjatë flet për Oliver Ivanoviqin.

“Nuk mundet me përdor Rugovën, e përdor Bulliqin. Ju e shihni nuk e lejon me rreh durartrokitje, as me qenë pjesë e zbritjes së mbulesës, e as fjalimit aty. Më gjatë Kurti flet për Oliver Ivanoviqin në video-incizim, edhe me shkrim duke e glorifiku rolin e tij, sesa për presidentin e parë të Kosovës”.

“Jemi në fushatë, ku urdhra e Ibrit, loja me Halil Kastratin, është kompensim i humbjes gjatë rrugës 4 vjeçare të njerëzve që e kanë sjellur në pushtet Kurtin”, ka thënë Abazi.

“Nuk m’heqin qafe edhe aq lehtë”, “Kur u bashkuam i bonëm 440 mijë vota” – Kë e paralajmëroi Osmani?

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë së fundmi, pas plot zhvillimeve në vend dhe ftohjes së raportit të saj me Qeverinë Kurti dhe disa ministra, ish bashkëpartiakë të saj në Guxo, dha një paralajmërim të fortë: “Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë.”

Në Kallxo Përnime, presidentja u pyet “A mendon që ke me vazhdu me qenë n’politikë pas postit të presidentes?”

Osmani u përgjigj në mënyrë interesante, duke thënë se “Nuk m’heqin qafe edhe aq lehtë.”

Kujt po i referohej?

Para kësaj pyetjeje, ajo u pyet se a do të hidhërohej nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta kandidonte përsëri për presidente dhe a do të donte të kishte një mandat të dytë.

 

 

Osmani u përgjigj: “Ende nuk e kam vendosë një gjë të tillë, t’them shumë sinqerisht, për shkak se ka shumë faktorë që duhet me u marrë parasysh.”

“Jo, sepse edhe kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kalume, ka qenë i përbashkët, dorën në zemër, sepse kur patëm kandidu ndamas, unë i pata marrë diku 200 mijë vota, diku 225 mijë Vetëvendosja, po kur u bashkuam pastaj, i bonëm 440 mijë vota.”

“Ajo çka po them unë është se ajo ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët. Rrjedhimisht, edhe ne të dy [Osmani dhe Kurti] kemi qenë në krye të fushatës, kandidat për president dhe për kryeministër, pra e kemi përkrahë njëri-tjetrin, sepse kur po përkthehet “jo, ty t’ka përkrahë Vetëvendosja”. Po kadale, se reciproke ka qenë kjo gjë. Reciproke ka qenë kjo gjë. I kemi bashku forcat dhe besoj se kemi arritë një rezultat t’mirë” – shtoi Osmani.

Kujtojmë se tashmë është bërë edhe publike që Osmani dhe Kurti nuk kanë marrëdhënie të mira mes tyre.

Osmani shpeshherë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për tema të ndryshme, kryesisht për politikën e jashtme.

Kurti: Policia e Kosovës e gatshme të mbrojë Kosovën edhe me jetë

“Policia jo vetëm që ruan qytetarët e jep siguri, por ata janë të gatshëm dhe të japin jetën për Kosovën”.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë për 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. Pas përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri, policia u bë institucioni  i parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që në mes dhimbjeve të madha dhe humbjeve nga lufta, sytë i kishte nga rimëkëmbja. Veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit, nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveqanit, dëshmojnë me profesionalizëm dhe pasion arrihen rezultate për sundim të ligjit. Banjska ka risjell në vëmendjen e secilit prej nesh, se pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo çoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë”, tha Kurti.

Kurti nuk kalon në matematikë, ia huq një detyre të thjeshtë por duartrokitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në tentim për të treguar aftësitë e tij në matematikë, ka bërë huqje në një detyrë e cila mësohet në shkollën fillore.

Ai e nisi mirë, por gaboi në diçka themelore. Kur numrat ndërrojnë anë, e ndërrojnë edhe shenjën, e ndonëse këtë e kishte parasysh te e panjohura, rregullin nuk e zbatoi edhe në anën tjetër.

Nga krahu i majtë +5, kur të del në krahun e djathtë bëhet -5 dhe në rastin në fjalë: 2+3-5 bëjnë 0.

Në fund e panjohura del të jetë 0 dhe jo 5 siç i doli kryeministrit tonë.

Në një video të publikuar, duket se edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është skeptike sa i përket zgjidhjes së detyrës.

Më poshtë, shihni zgjidhjen e saktë të detyrës:

Klikoni këtu për të parë videon

Dardan Islami për dialogun: S’e fajësoj Kurtin 100%, është një Vuçiq atje që s’është burrë i mirë

Opinionisti Dardan Islami sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur në lidhje me dialogun, duke thënë se për rrjedhën e tij, nuk e fajëson plotësisht kryeministrin Albin Kurti.

Ai u shpreh se atje është edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, për të cilin Islami u shpreh se “nuk është fort burrë i mirë” dhe sipas tij, provokon, përcjell Klankosova.tv.

“Unë jam minimalist si tip, nuk është se pres shumë, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, nuk dua t’a fajësoj askënd kështu 100 për qind”.

“Nëse hyjmë tani në kohën e dialogut që flasim, unë nuk jam i prirur ta fajësoi Kurtin 100 për qind, me të gjitha gabimet taktike që i ka bërë, sepse e di që është edhe një Vuçiq atje, që s’është fort burrë edhe që provokon, kështu që nuk bije aty”, tha tutje ai.

Kurti thotë se Kosova do të vazhdojë të blejë pajisje ushtarake nga Turqia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim Presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, ku ishte edhe ministri Maqedonci dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

“Gjatë ditës sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpritën Presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, të shoqëruar nga ekipi i tij dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.”

ZKM ka thënë se Kurti e ka falënderuar atë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes “veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Kurti ka thënë se Kosova do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia.

“Fillimisht, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës.”

Po ashtu, në takim gjithashtu është diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit.

“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia.”