”Të rinjtë kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e djeshme..”, detaje nga rasti tragjik në Pejë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Pejë, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete brenda një vile në rrugën “KFOR”.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15:10, kur Policia ka pranuar informatën se në vilat nr. 03 ndodheshin një mashkull dhe një femër, të moshës rreth 20 deri në 25 vjeç, të cilët sipas informacioneve fillestare kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e 29.12.2025, por prej asaj kohe nuk ishte dëgjuar asnjë zë nga brenda.
Pas daljes së patrullave policore në vendin e ngjarjes dhe kontrollit të objektit, është konstatuar se të dy personat ndodheshin pa shenja jete. Njësia e Emergjencës, e cila ka dalë në vendngjarje, ka konfirmuar vdekjen e tyre.
Menjëherë janë njoftuar njësia e hetimeve dhe krimteknika e Stacionit Policor në Pejë, të cilët ndodhen në lokacion dhe kanë nisur procedurat hetimore. Po ashtu, është kërkuar edhe dalja e Njësisë së Hetimeve të DRP Pejë për trajtimin e mëtejmë të rastit.
Për momentin, identiteti i viktimave dhe rrethanat e sakta të vdekjes së tyre mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit
