Tentim-vrasje në Veri

Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Koshuticë të Leposaviqit, ku një shtetas sirian është gjetur i plagosur rëndë me mjete të mprehta në disa pjesë të trupit, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta Sinjali nga burimet, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të datës 10 dhjetor 2025, kur dy dëshmitare – V. U. dhe B.U. – kanë njoftuar Policinë se në oborrin e shtëpisë së tyre gjendej një person i gjakosur.

Sipas informacioneve të para, viktima – identifikuar sipas të dhënave të spitalit si Muhamed Ali, shtetas i Sirisë – është gjetur i ulur pranë një objekti ndihmës (garazhe), pa veshje të mjaftueshme dhe me plagë të shumta në kokë, krah dhe afër brezit në anën e djathtë, të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Viktima nuk ka arritur të komunikojë, përveçse ka shqiptuar fjalën “Siria”.

Policia ka intervenuar menjëherë, duke siguruar vendin e ngjarjes dhe duke mbledhur deklaratat e dëshmitareve, të cilat thanë se e kishin vërejtur viktimën te dera e shtëpisë së tyre dhe më pas kishin marrë masat për ta lajmëruar rastin.

Njësitë e emergjencës dhe hetimeve rajonale kanë dalë në terren, ndërsa të plagosurit i është ofruar ndihmë e parë në vendngjarje dhe më pas është transportuar fillimisht në Spitalin e Mitrovicës Veriore, e më pas në Spitalin Rajonal të Mitrovicës Jug, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Me autorizim të prokurorit, rasti është iniciuar si Vrasje në Tentativë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personit apo personave të mundshëm të përfshirë në këtë sulm.

Rasti mbetet nën hetim nga njësitë përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *