Thaçi: Ka ardhur koha që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, ndryshe vazhdimisht do të ketë kriza
Ish-presidenti Hashim Thaçi në intervistën që kishte dhënë për gazetarin shqiptar Blendi Fevziu ishte pyetur edhe për çështjen e presidentit.
Fevziu e ka publikuar këtë përgjigje, pasi fillimisht e ka larguar nga transmetimi në emision për shkak se pyetjet janë bërë në nëntor të vitit paraprak dhe ato , sipas tij, tani nuk kishin relevancë kohore.
Fillimisht, i pyetur nëse opozita duhej të bashkohej për të formuar qeverinë, Thaçi është përgjigjur shkurt: “Nuk kam koment”.
Ndërsa në pyetjen tjetër, Fevziu kërkoi opinionin e Thaçit rreth bashkëpunimit eventual mes PDK-së dhe LVV-së për çështjen e presidentit.
“Do të duhej të ndodhë një konsensus sa më i gjerë politik. Shoqëria jonë ka plot gra dhe burra të çmuar me dinjitet dhe integritet. Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë kriza qeveritare. Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga parlamenti”, u tha ai.
Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme më 7 qershor, pasi vendi dështoi të zgjedhë presidentin.
