“Ti nuk je emër, je numër”- Vazhdojnë pakënaqësitë në LDK, kësaj radhe për Arben Gashin
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po arrin t’i menaxhojë “egot” e kandidatëve për deputetë. Para disa ditësh me hidhërim reagoi Doarsa Kica-Xhelili për çështje të numrit që iu është dhënë në listën zgjedhore të LDK’së. Kësaj radhe, në mënyrë inderekte, është shpërfaqur pakënaqësi edhe për Arben Gashin.
Flamur Gashi, vëllai i Arben Gashit, ka reaguar në ‘Facebook’ pasi ish-deputetit të LDK’së i është dhënë numri 23 në listën zgjedhore të këtij subjekti politik. Gashi ka thënë se Arbeni “nuk është numër, por emër”, shkruan Insajderi.
“I dashur, vella ARBEN!. Ti nuk je numer, ti je emer, ti i jep numrit emer…”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.
“Vota per ty, eshte vote per familjarin e dashur, njeriun dinjitoz, profesionist, te drejte, te paperkulur, patriot dhe atdhetar! Çdohere dhe ne çdo rrethane, ne krahun tend! Krenar me ty, punen, dinjitetin dhe emrin tend”, përmbyllet postimi i tij.
Arben Gashi në zgjedhjet e kaluara parlamentare tek lista zgjedhore e LDK’së bartte numrin 14.
Pakënaqësi lidhur me numrin ka shpërfaqur para disa ditësh edhe Doarsa Kica-Xhelili.
Kica-Xhelili, e cila bartte numrin 3 në zgjedhjet e kaluara, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se vendi real përcaktohet nga qytetarët “qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”, shkruan Insajderi.
“Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”, ka deklaruar ndër të tjera Kica-Xhelili.
LDK’ja ka qenë cak i kritikave edhe nga Agim Veliu, i cili kishte shpresa që do të jetë pjesë e listës zgjedhore të këtij subjekti politik.
