Tragjike | Vdes një 22-vjeçar pas një aksidenti tragjik

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Rahovec, ku një i ri ka humbur jetën pas përplasjes mes një automjeti civil dhe një motoçiklete.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 2 nëntor 2025, rreth orës 20:20, në rrugën “UÇK” në Rahovec. Në këtë ngjarje janë përfshirë një veturë e tipit VW Golf 1J dhe një motoçikletë, ndërsa për pasojë ka humbur jetën 22-vjeçari M. K .

Sipas hetimeve fillestare, i dyshuari A.D rreth 27-vjeçar po drejtonte veturën në rrugën nacionale Malishevë–Rahovec dhe, me të arritur përballë hipermarketit “ETC”, kishte bërë kthim majtas në mënyrë të pasigurt, duke marrë përparësinë e motoçikletës që po vinte nga drejtimi i kundërt.
Si pasojë, motoçikleta e drejtuar nga viktima është përplasur në krahun e djathtë të automjetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe lëndime të rënda trupore te 22-vjeçarit.

Viktima është transportuar me urgjencë nga ekipi i QKMF-së Rahovec drejt Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ku për shkak të plagëve të marra nuk ka arritur të mbijetojë.
Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar i spitalit.

Ndërkohë, i dyshuari A. D. është dërguar për trajtim në repartin e kirurgjisë, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke u zhvilluar nga njësitë e hetimeve të komunikacionit në koordinim me Prokurorinë Themelore.