Arabia Saudite do të presë në mesin e majit një samit të rëndësishëm mes vendeve të Gjirit dhe Shteteve të Bashkuara, i cili përkon me vizitën e parë të presidentit amerikan Donald Trump në këtë vend gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Ky zhvillim pason samitin e mëparshëm të mbajtur më 21 maj 2017, gjithashtu në Riad, gjatë mandatit të parë të Trump, shkruan Gazeta Sinjali.
Samiti vjen pas deklarimeve të presidentit amerikan, i cili më 6 maj, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin kanadez Mark Carney, paralajmëroi një “njoftim shumë të rëndësishëm”, pa dhënë më shumë detaje. Ky paralajmërim ka rritur pritshmëritë në lidhje me një shpallje të mundshme që lidhet me politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme.
Burime diplomatike të Gjirit, që kanë kërkuar të mbeten anonime, kanë pohuar se “presidenti Donald Trump do të lëshojë një deklaratë në lidhje me shtetin e Palestinës dhe njohjen e tij”. Sipas tyre, një deklaratë e tillë “do të jetë deklarata më e rëndësishme që do të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme dhe më shumë vende do t’i bashkohen Marrëveshjes së Abrahamit”.
Pjesë e axhendës së samitit do të jenë edhe marrëveshjet në fushat e sigurisë, mbrojtjes, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Në takim pritet të marrin pjesë të gjithë liderët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, me përjashtim të mbretit saudit Salman bin Abdulaziz, i cili për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk ka marrë pjesë në aktivitete publike kohët e fundit.
Mediat gjithashtu raportojnë se “marrëveshjet ekonomike me siguri do të jenë të pranishme, por shumë prej tyre tashmë janë shpallur dhe mund të jemi dëshmitarë të përjashtimit të vendeve të Gjirit nga tarifat”.
Ndërkohë, bëhet e ditur se presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi dhe mbreti Abdullah II i Jordanisë nuk janë ftuar në këtë samit, çka është interpretuar si një sinjal për ndryshimet në prioritetet diplomatike të këtij takimi.