div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tax-post_format term-post-format-aside term-191 custom-background wp-custom-logo paged-15 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kurti: Qeveria do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj studentëve dhe punëtorëve serbë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka thënë se procesi i zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së.

Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë, dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme.

Kurti ka theksuar se nuk është në interesin e Kosovës që zbatimi i Ligjit të krijojë pengesa në ofrimin e shërbimeve, por se qëndrimi i Kosovës është se në vend “nuk mund të ketë mekanizma ilegalë”.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista do të shërbejë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do të ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë ai.

Kurti: Nga 15 marsi hyn në fuqi këto dy ligje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Veturat, duke theksuar se procesi do të zhvillohet në koordinim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb.

Pas takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, Kurti deklaroi se faza e parë e zbatimit ka nisur më 15 janar dhe se tashmë janë bërë përgatitjet për hyrjen në fuqi të plotë të ligjeve.

“Siç edhe jeni informuar dhjetëra herë në këta dy muajt e fundit, nga data 15 fillon zbatimi i plotë i dy ligjeve të rëndësishme për sigurinë tonë si individuale ashtu edhe nacionale, por edhe për menaxhim më efikas të migrimit si dhe qarkullimit në trafik. Është fjala për ligjin për të huajt dhe atë për veturat, të dyja këto në harmoni të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Duke filluar nga data 15 janar e këtij viti, ne kemi nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre ligjeve, fazë kjo më shumë e orientuar në qartësim, informim dhe vetëdijësim për qytetarët rreth obligimeve dhe të drejtave shtesë të cilat burojnë për ta nga dispozitat e këtyre dy ligjeve. Por njëkohësisht fazë e përdorur për të bërë përgatitjet e duhura që garantojnë një zbatim efektiv të ligjeve”, tha ai.

“Tash 15 marsi është afruar dhe besoj që gjithçka është gati për një fillim të mbarë. Jam i sigurt se të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve e besoj fuqishëm që më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve edhe u drejtohet ky ligj. Pra të huajt, që falë rregullave të përcaktuara me ligj, do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre në vend, më shumë parashikueshmëri e më shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre. Kjo vlen sidomos për ata që Kosovën e shohin edhe si mundësi për të qëndruar më gjatë dhe destinacion të përshtatshëm për të siguruar mirëqenien e tyre ekonomike”, tha ai.

Duke folur për ndikimin e ligjit te qytetarët që vijnë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, ai theksoi se qëllimi nuk është ndërprerja e shërbimeve, por legalizimi i tyre brenda kornizës ligjore të Kosovës.

“Të nderuar qytetarë, nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanovci, fshatrat dhe qytetet e tjera të Serbisë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia. Dua të potencoj që nuk është interesi i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat, të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrim i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jo miqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Ky legalizim në praktikë do të përkthehet jo vetëm në zbatim të plotë të ligjit gjithandej Republikës së Kosovës, por edhe në më shumë cilësi të këtyre shërbimeve, më shumë financim, më shumë prezencë dhe e tëra kjo nënkupton më shumë siguri për qytetarët të cilët i konsumojnë të njëjtat shërbime”, tha ai.

Kurti shtoi se inkorporimi nuk ka për qëllim zvogëlimin e të drejtave, por fuqizimin e tyre dhe se procesi do të bëhet në koordinim të ngushtë me BE-në dhe me komunitetin serb lokal.

“Pra qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo së drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimi, por t’i gëzohet benefiteve të cilat do të rezultojnë nga ky proces. Natyrisht se për ne është e qartë që i gjithë procesi i legalizimit merr kohë. Po ashtu e nënvizoj që i gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialog, por dhe në koordinim e konsultim të vazhdueshëm me serbët lokalë. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët e komunitetit serb të besojnë në përfitimet nga procesi si dhe detyrimet të cilat burojnë nga marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit dhe korniza ligjore e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai njoftoi se Qeveria do të pajiset me listat e stafit akademik dhe shëndetësor për t’u dhënë leje të përkohshme qëndrimi 12-mujore, ndërsa e njëjta procedurë do të vlejë edhe për studentët e huaj.

“Nisur nga ky kontekst dhe për të kryer procesin e legalizimit duke u siguruar që nuk vihet deri te pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike në arsim dhe në shëndetësi, Qeveria e Republikës së Kosovës do të fillojë me inkorporimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor brenda kornizës ligjore të vendit tonë. Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, lista këto që pastaj do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë te Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës. Mospërputhjet eventuale në raste individuale do të verifikohen nga autoriteti përkatës”, tha ai.

“E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Republikën e Kosovës për qëllime studimore, për të cilët krerët komunalë do të ofrojnë listën e plotë të tyre me informatat e detajuara për fushën e studimit dhe vitin akademik. Këtyre studentëve pas aplikimit të suksesshëm Ministria e Punëve të Brendshme do t’ju ofrojë leje të përkohshme të qëndrimit me afat 12 mujor me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e rinj që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike. Paralelisht me këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në koordinim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve publike fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet optimale për inkorporim të plotë, përfshirë këtu licencimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar. Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re tre mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet edhe përdorimi ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jo legale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda sistemit qendror të regjistrit civil të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Edhe PDK-ja i përgjigjet ftesës së Kurtit për takim javën e ardhshme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se duhet të respektohet procesi institucional dhe të pritet vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.

Në një reagim të publikuar të premten, PDK ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ftesën për takim, duke theksuar se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.

Megjithatë, kjo parti thekson se në rrethanat aktuale është e rëndësishme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, duke pasur parasysh se ky institucion ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim.

Sipas PDK-së, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të merret deri më 31 mars, dhe ai do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë.

Partia Demokratike e Kosovës thekson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në Kosovë.

Kujtojmë se të njejtin qendrim e ka ndarë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit, por vetëm pas vendimit të Kushtetuese. /Zëri

Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, PDK-ja del me këtë vendim

Edhe pse është hequr sikur i ka dërguar komentet, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kryer zyrtarisht asnjë parashtrim në gjykatën më të lartë të vendit për dekretin e presidentes, ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese. 

Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka dorëzuar gjykatës më të lartë të vendit komentet e veta për çështjen e dekretit të presidentes për shpërndarjen e kuvendit, edhe pse është sillur sikurse i ka deponuar komentet.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani përmes së cilës ndaloi “çdo vendim dhe veprim të mëtejmë” nga presidenca dhe kuvendi.

Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.

Deri në vendosjen meritore të lëndës, gjatë kësaj jave Gjykata ka pranuar komentet nga palët e interesit. Afati për dorëzimin e qëndrimeve të palëve ka përfunduar të mërkurën, më 11 mars.

Komente në gjykatë brenda këtij afati kanë dërguar presidentja Vjosa Osmani dhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, konfirmoi të premten Gjykata Kushtetueses

Edhe pse është hequr sikurse i ka dërguar komentet, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kryer zyrtarisht asnjë parashtrim në gjykatën më të lartë të vendit, sipas një përgjigje me shkrim që Gjykata ia dërgoi Paparacit të premten.

“Përkitazi me çështjen e dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata brenda afatit të përcaktuar ka pranuar komente nga: (i) Presidentja e Republikës së Kosovës; dhe (ii) Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Gjykata Kushtetuese.

Të pyetur nëse ndonjë subjekt politik ka dorëzuar komentet e veta për çështjen e Osmanit e pastaj i ka tërhequr ato, Gjykata ka thënë se dokumentet e parashtruara “nuk mund të tërhiqen pas dorëzimit të tyre”.

“Deri në këto momente, Gjykata nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për tërheqjen e komenteve të dorëzuara”, tha Gjykata në përgjigjen për Paparacin.

Tashmë është plotësisht e qartë se Partia Demokratike e Kosovës vetëm ka proklamuar në publik kinse dërgimin e komenteve të veta në Gjykatën Kushtetuese, por nuk i ka dërguar asnjëherë vërejtjet e veta rreth lëndës.

PDK-ja, që nga fillimi u vu në mbrojtje dekretit të presidentes për shpërndarjen e parlamentit.

Dy ditë pas shpalljes nga presidentja të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe deputeti Përparim Gruda paralajmëroi dërgimin e qëndrimeve të PDK-së në mbrojtje të dekretit.

“Mendoj që në fund të javës së ardhshme do të caktohen zgjedhjet. Do ta kemi edhe (qëndrimin) e Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën, dhe ne do të bëjmë komentet tona në Kushtetuese do t’i dorëzojmë që dekrete është plotësisht kushtetues”, tha Gruda në emisionin Pressing në T7 më 7 mars.

Më 11 mars, datën që koincidoi me afatin e fundit të dërgimit të komenteve në Gjykatë, në disa media në vend rrodhi një komunikatë e PDK-së me përmbajtjen e komenteve të kësaj partie gjoja të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo komunikatë nuk është publikuar në platformat e partisë në rrjetet sociale, ka vërejtur Paparaci.

Po atë ditë, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu deklaroi se subjekti “shpreson shumë” që dekreti për shpërndarjen e kuvendit të marrë pëlqim nga Gjykata Kushtetuese dhe t’u hapen rrugë zgjedhjeve të reja.

Paparaci ka tentuar të kontaktojë me deputetin Përparim Gruda dhe me shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Arian Tahirin, por kontakti me të dy ka qenë i pamundur për gazetën.

Gjykata Kushtetuese e ka regjistruar më 9 mars kërkesën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes në largim për shpërndarjen e Kuvendit.

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani është shpallur të premten e javës së shkuar, më 6 mars.

Gjykata merr vendim për të akuzuarin për krime lufte Ramadan Morina

Gjykata Supreme ka njoftuar se e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga avokati i të akuzuarit për krime lufte Ramadan Morina, kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit për masën e paraburgimit ndaj tij.Në njoftimin e Supremes thuhet se me këto vendime, gjykatat e instancave më të ulëta i kishin vazhduar të pandehurit masën e paraburgimit për dy muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile.

“Gjykata Supreme vlerëson se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa adresa të banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi, gjë që mund të lehtësojë shmangien nga ndjekja penale, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe vendit tjetër”, thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme, gjithashtu konstaton se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që paraburgimi është caktuar me vendim të gjykatës kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale është ende në fazën fillestare.

Ramadan Morina në seancën gjyqësore të mbajtur në dhjetor është deklaruar i pafajshëm, lidhur me akuzat për krime lufte. Sipas aktakuzës, i pandehuri Morina më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Largime masive nga partia Guxo – dorëhiqen edhe katër zyrtarë të tjerë

Partia Guxo ka mbetur pa katër anëtarë të kryesisë në degën e Pejës.

Nezir Jahmurataj, Ruzhdi Blakaj, Ramiz Cukaj dhe Feriz Gashi, të katërtit anëtarë të Kryesisë së Degës së Guxo në Pejë, janë dorëhequr nga partia.

Ata e kanë arsyetuar këtë vendim të tyre si rezultat “i mosdorëheqjes së dy uzurpuesve të partisë”, Faton Pecit dhe Donika Gërvallës.

Në letrën e dorëheqjes, katër besnikët e presidentes Vjosa Osmani

Letra e dorëheqjes e katër anëtarëve të Kryesisë së Guxo në Pejë:

DORËHEQJE

Ju njoftojmë se kemi vendosur të japim dorëheqje nga Partia Guxo – Dega në Pejë.

Kjo dorëheqje vjen si pasojë e mungesës së mbështetjes ndaj Presidentes Vjosa Osmani nga Partia Guxo në Pejë. Vjosa Osmani mbetet një lidere që ka përfaqësuar me dinjitet Republikën e Kosovës dhe ka mbrojtur interesin shtetëror në çdo rrethanë.

Është tepër shqetësues qëndrimi i znj. Donika Gërvalla, e cila ka lobuar kundër rizgjedhjes së Presidentes Osmani. Për ne është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mungojë përkrahja për një Presidente që ka dëshmuar integritet dhe përkushtim ndaj shtetit, si dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme.

Për këto arsye, në shenjë mospajtimi me këtë qasje dhe në mbrojtje të parimeve në të cilat besojmë, japim dorëheqje nga Partia Guxo – Pejë dhe mbështesim Presidenten Osmani në çdo vendim të mëtejmë.

Me respekt,

Nezir Jahmurtaj,

Ruzhdi Blakaj,

Ramiz Cukaj,

Feriz Gashi

Anëtarë të Kryesisë së Degës së Partisë Guxo në Pejë dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Guxo.

Kjo dorëheqje vjen edhe si rezultat i mosdorëheqjes së dy bashkëkryetarëve, njëkohësisht uzurpues të Partisë Guxo, Faton Peci dhe Donika Gërvalla.

Kurti: S’ka nevojë për zgjedhje, duhet marrëveshje me opozitën për Presidentin

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurit, ka thënë se s’ka nevojë të shkohet në zgjedhje të reja dhe se është e domosdoshme që të arrihet një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri.

Këto deklarime Kurti i ka bërë sot nga ambientet e QKUK-së.

“Vitin e kaluar ka pasur 4 palë zgjedhje. S’kemi nevojë ta përsërisim. S’është e drejtë as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura. Është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Kurti

“S’ka nevojë për zgjedhje të reja të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses që Kuvendi të fillojë të punojë”, është shprehur ai.

Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar Dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Gjykata merr vendimin për Gjestin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj rep-artistit Besart Kelmendi, të njohur me emrin artistik Gjesti.

Gjestit i është caktuar paraburgimi për shkak të  të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Kanosja, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë si dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas vendimit të Gjykatës, caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Reperi nga Peja ishte arrestuar dy ditë më parë për shkak të dyshimit se kishte kërcënuar pronarin e kompanisë Onima.

Gazetari i njohur merr detyrën e Zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës

Gazetari nga Vushtrria, Fatlum Jashari, ka njoftuar se ka marrë një detyrë të re institucionale, duke u emëruar Zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshilltar Politik i Kryeministrit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Jashari përmes një postimi publik, ku ka shprehur falënderimin e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti për besimin e dhënë.

Me këtë angazhim të ri, Jashari ka bërë të ditur edhe përmbylljen e një karriere mbi dhjetëvjeçare në fushën e gazetarisë dhe medias, një periudhë që, sipas tij, ka qenë shumë e rëndësishme në formimin e tij profesional.

“Ky moment shënon fundin e angazhimit prej dhjetë vjetësh e gjysmë në gazetari/media. Përherë falënderues e mirënjohës ndaj shtëpive ku jam rritur dhe njerëzve me të cilët kam rrugëtuar”, ka shkruar ai.

Emërimi i tij shënon një kalim nga sektori i medias në atë institucional, duke marrë një rol kyç në komunikimin publik të Qeverisë së Kosovës.

Edon Zhegrova bëhet baba për herë ta parë, ky është emri i veçantë i bebit!

Një ngjarje e veçantë ka ndodhur në jetën e Edon Zhegrovës, yllit të Kombëtares së Kosovës dhe sulmuesit të Juventusit.

Ai është bërë baba për herë të parë, një moment që ka sjellë gëzim të madh në familjen e tij.

Edhe pse 26-vjeçari ka zgjedhur të mbajë këtë pjesë të jetës jashtë vëmendjes së mediave, gëzimi i tij është bërë publik falë nënës së tij, Sanije Zhegrova.

Sanija ka ndarë emocionet e saj përmes një postimi në Instagram, ku ka publikuar një foto të bebit të saj të ri nga inkubatori në spitalin “Città della Salute e della Scienza” në Torino.

Ajo ka shkruar: “Sot zemra ime u mbush më shumë se kurrë. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dashurinë që tashmë ndiej për këtë mrekulli të vogël.” Kjo shprehje e ndjenjave tregon se sa e rëndësishme është kjo ngjarje për familjen Zhegrova.

Emri i bebit është Mars, një zgjedhje e veçantë dhe simbolike, duke pasur parasysh se ai ka ardhur në jetë më 12 mars 2026. Ky emër jo vetëm që ka një tingull të bukur, por gjithashtu ka një domethënie të thellë për prindërit e tij, duke simbolizuar një fillim të ri dhe shpresë për të ardhmen.

Vogëlushi peshon 3250 gramë dhe është në shëndet të plotë, një lajm i shkëlqyer për të gjithë ata që e njohin Edonin dhe familjen e tij. Ky moment shënon një kapitull të ri në jetën e tij, ku ai do të përballet me sfida të reja dhe emocionuese si baba.

Edoni, i njohur për talentin e tij në fushën e futbollit, tani ka një tjetër “ndeshje” për të fituar, atë të të qenit baba. Kjo do të jetë një përvojë e re dhe e veçantë për të, e cila do ta ndihmojë të rritet si individ dhe si profesionist.

Familja Zhegrova ka një histori të pasur dhe të bukur, dhe ardhja e Marsit do të shtojë edhe më shumë ngjyra në këtë histori. Të gjithë ne urojmë që ai të ketë një jetë të gjatë dhe të lumtur, duke u rritur në një ambient të dashur dhe mbështetës.