div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tax-post_format term-post-format-aside term-191 custom-background wp-custom-logo paged-157 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Mbështetje financiare prej 295 mijë euro për studentët

Ministrja në detyrë e arsimit, Arbërie Nagavci ka dhënë një lajm të mirë.

Për studentët që kanë studiuar jashtë Republikës së Kosovës janë ndarë 295 mijë euro.

59 studentë kanë përftuar mbështetje financiare prej 5 mijë euro.

Më poshtë postimi i Nagavcit:

🎓 Mbështetje e vazhdueshme për arsimimin e studentëve tanë.

✅295,000 euro mbështetje për studentët tanë për studimet bachelor jashtë Republikës së Kosovës.

✅59 studentë kanë përfituar mbështetje financiare nga 5,000 euro secili për ndjekjen e studimeve bachelor jashtë vendit gjatë periudhës 2021–2025.

Mbetemi të përkushtuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen, në funksion të zgjerimit të mundësive arsimore për studentët tanë.

Dy të vdekur e dy të lënduar afër dheut në autostradë që ministria nuk e hoqi që më shumë se një vitë

Për më shumë se një vit dheu që rrëshqiti nuk është hequr tërësisht nga një pjesë e autostradës në afërsi të Prizrenit.

Ministria përgjegjëse, ajo e mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës që udhëhiqet nga Vetëvendosje nuk arriti që ta largonte krejtësisht dheun që rrëshqiti, por e hapi vetëm një korsi.

Këtë javë në këtë vend, dy gra humbën jetën si pasojë e aksidentit dhe në të njëjtin vend për 24 orë u shkaktua edhe një aksident, në të cilin mbetën të lënduar dy persona.

Policia e Kosovës më 11 dhjetor kishte konfirmuar se aksidenti me fatalitet ndodhi në afërsi të punishtes në autostradë.

“Sipas të dhënave fillestare, në lagjen Lakuriq në Prizren, drejtuesi i një kamioni derisa ishte duke lëvizur në afësi të punishtes, nga pakujdesia ka goditur viktimën, ku shërbimi i urgjencës është njoftuar menjëherë dhe mjekët në vendngjarje kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Orë më vonë edhe e aksidentuara tjetër vdiq.

“Policia ka dalë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacionin policor.  Është njoftuar prokurori i Shtetit lidhur me rastin dhe në bashkërendim me prokurorin po ndërmerren të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhej më tej.

PZAP-ja rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikohet lista me kandidatë për deputetë e Listës Serbe

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar vendimin e KQZ-së dhe ka vendosur për certifikimin e listës me kandidatë për deputetë të Listës Serbe.

Kjo pas ankesës që është bërë në PZAP nga kjo parti, meqë në KQZ nuk ishte certifikuar lista me kandidatët për Parlamentin e Kosovës.

“APROVOHET ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me Nr. Protokolli 01/3771-2025, të datës 10.12.2025, NDRYSHOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me Nr. Protokolli 01/3771-2025, të datës 10.12.2025, ashtu që PRANOHET rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 11.12.2025, CERTIFIKOHET lista e kandidatëve (33 kandidat) të subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendim.

Image
PZAP-i vendos për motrën e Donika Kadaj Bujupit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Koalicija Vakat”, me të cilën kërkohej anulimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe detyrimi i tij për të certifikuar kandidaten Ena Krasniqi në listën e këtij subjekti për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit 2025.

Çka kërkonte ankesa dhe çfarë vendosi PZAP

Sipas vendimit, ankesa e “Koalicija Vakat” ishte paraqitur kundër vendimit të KQZ-së me të cilin ishte refuzuar certifikimi i kandidates në fjalë, ndonëse Zyra për Certifikimin e Partive Politike kishte rekomanduar certifikimin e listës. PZAP, në seancën e mbajtur më 13.12.2025, e ka refuzuar ankesën, duke e konsideruar vendimin e KQZ-së të ligjshëm dhe të arsyetuar.

Në arsyetim, PZAP e vendos çështjen në kontekstin kushtetues dhe ligjor të vendeve të garantuara/rezervuara për komunitetet jo-shumicë. Kuvendi ka 120 ulëse, ndërsa 20 prej tyre janë të garantuara për komunitetet jo-shumicë; me ndarje ku përmenden, ndër të tjera, ulëse të garantuara për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera (përfshirë edhe komunitetin boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran).

PZAP thekson se logjika e këtyre ulëseve nuk është formale, por substantive: përfaqësimi përmes vendeve të rezervuara duhet të jetë real dhe efektiv, dhe kandidatët që synojnë këto vende duhet të kenë “lidhje objektive” me komunitetin përkatës, e cila mund të shprehet përmes elementeve si përkatësia etnike, përdorimi i gjuhës, identiteti kulturor apo angazhimi publik brenda komunitetit.

Pse u rrëzua ankesa

Sipas vendimit, KQZ kishte certifikuar 42 nga 43 kandidatët e listës, ndërsa kishte refuzuar vetëm kandidaten Ena Krasniqi, me arsyetimin se kishte pamundësi verifikimi të përkatësisë etnike për kontekstin e garimit në vendet e garantuara. PZAP vlerëson se, në rrethanat e rastit, kandidatja nuk ka paraqitur prova që të dëshmojnë ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin përkatës, çka e bën të justifikueshëm refuzimin e certifikimit në këtë format.

Po ashtu, vendimi trajton edhe dimensionin e së drejtës për t’u zgjedhur, duke theksuar se ajo nuk është e pakufizuar, por ushtrohet brenda kushteve që përcakton Kushtetuta dhe ligji; në këtë rast, kufizimi lidhet me natyrën specifike të listave që synojnë vendet e rezervuara dhe me nevojën për të ruajtur integritetin e këtij mekanizmi përfaqësimi.

“PZAP vlerëson se nga shkresat e lëndës rezulton se, me rastin e aplikimit për certifikim, si dhe më pas përmes ankesës para PZAP-it, kandidatja Ena Krasniqi nuk ka paraqitur asnjë provë që do të dëshmonte ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin boshnjak, në veçanti lidhjen e përkatësisë etnike, pa përjashtuar elemente të tjera si gjuha apo identiteti kulturor. Po ashtu, kandidatja nuk ka ofruar argumente që do të kundërshtonin pretendimin se në zgjedhjet lokale të vitit 2009 ka marrë pjesë si kandidate në listën e një subjekti politik të komunitetit shumicë.” – thuhet ndër të tjera në vendim.

Kurti: S’është e drejtë ta shpallim Listën Serbe organizatë terroriste

SHBA-ja e vlerësoi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe si një tentim “përçarës” dhe si një përpjekje me “vizion të ngushtë” nga ana e LVV-së.

Komisioni Qendror Zgjedhor sërish nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ-së, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi votuan kundër me argumentin se kjo listë përmban elemente terroriste.

LVV-ja në disa raste synoi të pengoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet përmes procedurave administrative në kuadër të KQZ-së. Në të gjitha rastet – sikur edhe në rastin e fundit – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe.

I pyetur për këtë çështje, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se Lista Serbe është një subjekt politik dhe se Kosova nuk funksionon si shtet policor që qeveria të shpallë një parti politike si organizatë terroriste.

Një gjë të tillë, sipas tij, mund ta bëjnë vetëm gjykatat dhe se “nuk është e drejtë” që këtë ta bëjë qeveria.

“Unë besoj që nuk është e drejtë, na duhen vendime gjyqësore lidhur me një parti politike, se është dallim normativ midis organizatave si ‘Mbrojta Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ në njërën anë që figuronin në organogramin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kishin paramilitarë të armatosur në Kosovë me partinë Lista Serbe”, tha Kurti.

Por pse ka kaq shumë insistim për moscertifikimin e Listës Serbe në KQZ, kur formulën se si mund të “eliminohet” Lista Serbe nga skena politike po e paska të njohur edhe vetë lideri?

Kufizimi i pjesëmarrjes së një partie politike, sipas ekspertëve ligjor, duhet të bëhet vetëm përmes një procesi gjyqësor dhe me bazë ligjore të qartë.

Sipas tyre, çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveç në rastet kur nuk i plotëson kërkesat administrative ose kur kandidatët individualë kanë papërshtatshmëri juridike (p.sh., dënime penale efektive brenda tre viteve). Nuk ekziston asnjë akt që shpall Listën Serbe si organizatë terroriste, ndaj në praktikë, moscertifikimi i saj nuk ka bazë ligjore të fortë.

Për Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, KQZ-ja me këtë vendim i tejkaloi kompetencat e saj dhe ka hyrë në një fushë “që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë”.

“Ligji është i qartë: çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative. Sa i përket kandidatëve individualë, kufizimet zbatohen vetëm nëse kanë papërshtatshmëri juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit”, ka argumentuar ai.

Në vlerësimin e tij, përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale.

Në anën tjetër për analistët politikë ky vendim i cili nuk ka asnjë bazë ligjore do t’i konvenojë më së shumti pikërisht narratives së Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë.

Si interes strategjik për Serbinë, e ka cilësuar, komentatori politik, Petrit Zogaj, retorikën kundër Listës Serbe në Kosovë.

“E para, Kurti dhe të tijtë po e paraqesin Listën Serbe si problem për Kosovën, e jo Serbinë si të tillë. E dyta, duke e luftuar një parti politike minoritare, Serbia po e ka shumë të lehtë argumentimin se Kosova po i cenon të drejtat e pakicës serbe në vend”.

Me këtë vendim, beson Zogaj, Kosova, me vetëdije, po i shtyn serbët lokalë që asnjëherë të mos e konsiderojnë Kosovën si shtetin e tyre.

“E kjo i garanton Kosovës destabilitet të përhershëm, deri në ndonjë aranzhim tjetër administrativ. E gjithë kjo po bëhet vetëm e vetëm që Kurti të vazhdojë të qëndrojë në pushtet — pa asnjë kërkesë për llogaridhënie për qeverisjen e tij, apo qoftë edhe diskutim për bllokadën njëvjeçare”.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.

“Moscertifikimi i Listës Serbe në këtë fazë prodhon vetëm një efekt konkret: i jep Serbisë argument shtesë për të pretenduar se të drejtat politike të komunitetit serb në Kosovë po cenohen nga shumica shqiptare”.

Ky veprim i pamatur, që ndjek të njëjtin skenar të ditur paraprakisht që përfundon me dështim, beson ai, nuk është as serioz dhe as i përgjegjshëm.

“Po të ishte një qasje serioze, do të ndiqeshin rrugët institucionale dhe ligjore për shpalljen e saj organizatë terroriste dhe kjo temë do të mbyllej moti. Pikërisht sepse nuk është e tillë, kjo manovër procedurale që bëhet për një grusht votash, vetëm sa e dobëson pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe i hap rrugë forcimit të kompetencave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – një rezultat tërësisht i kundërt me interesat strategjike të vendit”.

Për Afrim Kasollin, analistin politik, LVV-ja e ka shndërruar këtë kauzë në një mjet për përfitime politike dhe strategji për “burgosjen” e partive opozitare brenda narracionit të saj, në vend se ta trajtojë institucionalisht, proceduralisht dhe në përputhje me standarde ligjore diskulafikimin e Listës Serbe.

“Partia në pushtet deri më tani vetëm ka improvizuar lojëra momentale politike për ta shtuar adrenalinën elektorale”, thotë ai për Albanian Post.

Dhe, në vlerësimin e Kasollit, LVV-ja doli e suksesshme në këtë drejtim.

“Kjo u vërejt qartë me më mënyrën se si votuan partitë opozitare, duke abstenuar në KQZ kur ishte radha e certifikimit të Listës Serbe. Sot të gjitha partitë ‘tradicionale’ janë të ‘detyruara’ që të mos votojnë ashtu siç ka qenë deri më tani praktika parlamentare e zgjedhjes së nënkryetareve të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti pakicë, vetëm që t’i ruajnë virtytet patriotike në sytë e Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht faktit se akte të tilla mund të jenë në antinomi me normat kushtetuese dhe ta thellojnë edhe me tej armiqësinë e Kosovës me Perëndimin”, potencon ai.

Në këtë kontekst, Kasolli beson se LVV-ja ka interes që sa më shumë të forcohet Lista Serbe në kuadër të komunitetit serb.

“Në mënyrë që të ketë edhe më shumë material politik elektoral për ta dominuar skenën politike në pjesën shqiptare si partia e vetme që po bënë përpjekje titanike për t’ia pamundësuar asaj qasjen në pushtet si në nivelin lokal ashtu edhe qendror”.

Në vlerësimin e ligjëruesit të medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, LVV-ja po ta shpallte organizatë terroriste Listën Serbe, një gjë e tillë do të krijonte probleme politike, andaj ajo, beson ai, po dëshiron që ta eliminojë një problem politik me mjete administrative.

“LVV mendoj se po tenton të kryejë dy punë me një veprim. Së pari, ta heqë Listën Serbe nga ekuacioni politik, si dhe të fajësojë institucionet ‘gjoja’ të kapura nga opozita”, thotë ai për AP.

Në anën tjetër për analistin politik, Avni Arifi, LVV-ja nuk e ka për qëllim primar mos-certifikimin e Listës Serbe, por krijimin e narracionit se Albin Kurti, është patriot, e të tjerët jo.

“Ta kish pasur përnjëmend, e kishte shpallur në mbledhje të qeverisë si organizatë kriminale dhe nuk e kishte deleguar këtë vendim në KQZ”, thotë ai për AP.

SHBA-ja e vlerësoi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe si një tentim “përçarës” dhe si një përpjekje me “vizion të ngushtë” nga ana e LVV-së.

Veprime të tilla, sipas SHBA-së, minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare.

Për këtë rast, SHBA-ja e bëri përgjegjëse vetëm LVV-në, përkundër që Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar e Misioni i OSBE-së në Kosovë e shpërndan fajin edhe te partitë e tjera politike në vend, të cilat abstenuan gjatë votimit.

Sondazhi i fundit, sa % do t’i ketë VV në zgjedhje

Një analizë e gjerë online, e mbështetur në rreth 20 mijë respondente dhe në modele të avancuara statistikore, tregon se situata elektorale në Kosovë mbetet e ndërlikuar dhe me gjasa të larta për ngerç politik.

Sipas të dhënave të prezantuara, lëvizjet e votuesve nga 9 shkurti e deri më tani kanë qenë minimale, ndërsa vetëm 6% e qytetarëve deklarohen të pavendosur se kujt do t’ia japin votën.

Sipas këtij sondazhi online fituese e zgjedhjeve do të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 40.8%.

Në vendin e dytë është PDK me 23.2%, ndërsa LDK në vendin e tretë me 17.2%.

AAK është në vendin e katërt me 8.6%.

Sqarim: Kjo matje është publikuar nga Bleron Baraliu.

Kunati i Albulena Haxhiut: Të kishim shtet, Kurti do të duhej të dënohej për vizitën e djeshme

Kandidati i AAK-së për deputet në Kuvend, Dardan Krasniqi ka kritikuar vizitën e Kurtit ku po kryhen punimet në pishinën e Podujevës, duke e cilësuar “abuzim me rregulla” e “shembull të shëmtuar”.

Krasniqi ka thënë se “kur kreu i ekzekutivit e një kryetar komune vepron kështu pa masa mbrojtëse në një punishte tregon se pse kemi kaq shumë vdekje të punëtorëve në punë”.

“Veç në këtë vit kemi mbi pesë (5) veteran të luftës që kanë vdekur si punëtor në ndertim! Pa helmet, pa këpucë mbrojtëse, pa syze, dorëza e xhaketë reflektuese”, tha ai.

Postimi i plotë:

Abuzimi me rregulla!

Shembull i shëmtuar!

Ky është shembulli më tipik se si abuzohët me rregullat në sigurinë në punë! Andaj kur kreu i ekzekutivit e një kryetar komune vepron kështu pa masa mbrojtëse në një punishte tregon se pse kemi kaq shumë vdekje të punëtorëve në punë! Veç në këtë vit kemi mbi pesë (5) veteran të luftës që kanë vdekur si punëtor në ndertim!

Pa helmet, pa këpucë mbrojtëse, pa syze, dorëza e xhaketë reflektuese!

Çka është: Siguria në punë është mbledhja e rregullave, masave dhe veprimeve që merren për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe mirëqenien e punëtorëve gjatë kryerjes së punës.

🪖 1. Mbrojtja e kokës

• Helmetë mbrojtëse (sidomos në punishte metali, ndërtimi, ngritje peshe)

👓 2. Mbrojtja e syve dhe fytyrës

• Syze mbrojtëse kundër pluhurit, copëzave, shkëndijave

• Mburojë fytyre (për saldim, prerje, bluarje)

😷 3. Mbrojtja e frymëmarrjes

• Maskë kundër pluhurit (P1, P2, P3)

• Maskë kundër avujve kimikë (bojëra, tretës)

🧤 4. Mbrojtja e duarve

• Doreza pune (lëkurë, gome, kundër prerjes, kundër nxehtësisë)

• Kujdes: nuk përdoren doreza pranë makinerive rrotulluese

👂 5. Mbrojtja e dëgjimit

• Tapa për veshë

• Kufje mbrojtëse kundër zhurmës

👕 6. Veshje mbrojtëse

• Rroba pune rezistente

• Përparëse mbrojtëse (saldim, kimikate)

• Jelek reflektues (nëse ka lëvizje mjetesh)

👞 7. Mbrojtja e këmbëve

• Këpucë sigurie me hundë metalike

• Tabane kundër rrëshqitjes dhe shpimit

Në një shtet normal Inspektoriati është dashur ta denon Kryeministrinë, Kryetarin e Komunës, Kompaninë dhe Mbikqyrësinë e punimëve!

Po ne jemi #pashtet

Sulmohen policia e Kosovës

Një incident serioz ka ndodhur paraditen e 12 dhjetorit 2025 në fshatin Zhegër të Gjilanit, ku dy persona janë arrestuar nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas informatave, rreth orës 10:00, patrulla policore e Zhegrit kishte ndaluar një veturë të tipit Golf për kundërvajtje në trafik. Nga vetura kanë dalë drejtuesi A.N, rreth 26-vjeçar dhe bashkudhëtari Sh.Z., rreth 27-vjeçar, të cilët fillimisht kanë refuzuar të paraqesin dokumentet personale.

Burimet bëjnë të ditur se situata ka eskaluar shpejt, pasi të dyshuarit kanë përdorur fjalor fyes dhe kërcënues ndaj zyrtarëve policorë. Gjatë tentativës për shoqërimin e tyre në Stacion Policor, të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policorë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Për ta vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin sprej OC, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar në vendngjarje.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarët policorë dhe dy të dyshuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë pajisur me raporte mjekësore nga Spitali Rajonal i Gjilanit.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, A.N dhe Sh.Z janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar dhe po trajtohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”. Hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

E rëndë: Gjendet pa shenja jete një 29-vjeçare, dyshohet se ishte me grip ditë më parë

Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e djeshme në Prishtinë, ku një grua e re është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, në rrugën “Ismet Jashari”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas informatave të para, rreth orës 15:00 Policia ka pranuar njoftim për një person të dyshuar të vdekur. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë hasur G. Sh, rreth 29-vjeçare të shtrirë në tokë. Në lokacion ka intervenuar edhe ekipi i emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.

Burimet bëjnë të ditur se viktima dyshohet se kishte qenë me grip disa ditë më parë dhe kishte marrë tretman mjekësor në shtëpi. Në vendngjarje është intervistuar edhe një familjare e saj, e cila ka dhënë deklaratë lidhur me gjendjen shëndetësore të së ndjerës ditët e fundit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë tërhequr trupin e pajetë për ekzaminim të mëtejmë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota që çuan në këtë rast tragjik.

Peci numëron pesë vendimet e para që do t’i bëjë si kryetar i Mitrovicës së Jugut

Pas betimit në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, kryetari i ri Faton Peci në një deklarim për media tha se vendimet e para që do të ndërmarrë do të fokusohen në mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe në prioritetet arsimore të komunës.

Ai paralajmëroi formimin e një komisioni të posaçëm komunal për vlerësimin e nevojave të tyre dhe theksoi se arsimi do të jetë fusha e parë ku do të nisë angazhimi i tij institucional.

“Pesë vendimet e para janë vendime të vullnetit të mirë. Vendimi i parë është themelimi i komisionit komunal për vlerësimin e nevojave të fëmijëve të cilët kanë nevoja të veçanta për të pasur të qartë se sa asistentë në mbështetje dhe në përkrahje të fëmijëve për nevoja të veçanta është në sistemin arsimor të komunës. Arsimi do të jetë njëra nga prioritetet e mia të para, vizitën e parë do ta kemi në kopshtin e qytetit të hënën bashkë me presidenten Vjosa Osmani”, tha ai.

Më tej ai tha se “unë do të jem në mbështetje të koalicionit të LVV për shkak se na duhet partneriteti edhe mbështetja e qeverisë për të implementuar një pjesë të konsiderueshme të programit dhe zotimeve që kam pasur për Mitrovicën”.

I pyetur për mungesën në seancë të ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Komunës, Arian Tahiri, Peci theksoi se nuk e di arsyen e mos pjesëmarrjes, duke shtuar se e ka përshëndetur në fjalimin e tij.

“Unë fjalimin tim e kam pasur një përshëndetje për të, ai mungoi, por megjithatë nuk i di arsyet, mund të jenë rrethana objektive”, tha Peci.