Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ishte i propozuar nga mandatari Albin Kurti për postin e Ministrit për Familje dhe Mirëqenie Sociale.
Meqenëse formimi i Qeverisë “Kurti 3” dështoi, Hoti përmes një postimi në Facebook theksoi se vendimi i tij ka qenë i bazuar mirë në rrethanat aktuale. Ai shtoi se përgjegjësia e tij ndaj qytetarëve mbetet e pandryshuar.
Tutje, Hoti theksoi se punën politike e sheh si një mjet shërbimi dhe jo përfitimi personal.
Postimi i plotë:
Puna në institucione nuk është privilegj, por detyrë shërbimi ndaj qytetarëve.
Pavarësisht që sot nuk u arrit të formohet Qeveria e re, ky është një realitet politik që duhet pranuar me qetësi dhe përgjegjësi.
Pa dashur të përfshihem në debatet politike apo atmosferën e krijuar në vend, më vjen keq që ende na mungon vetëdijesimi për veprim të unifikuar në shërbim të interesave shtetërore e kombëtare.
Jam mirënjohës për vlerësimin dhe besimin që më është dhënë për të udhëhequr një dikaster kaq të rëndësishëm si Ministria për Familjen dhe Mirëqenien Sociale, pjesë e kabinetit qeveritar të z. Kurti, një ministri që përfshin kategoritë më të ndjeshme sociale në Republikën e Kosovës.
Ky është vendim i imi, i menduar mirë dhe i bazuar në rrethanat aktuale.
Përgjegjësia për njerëzit do të mbetet e pandryshuar, ashtu si edhe përkushtimi ndaj punës dhe ndaj vendit tonë.
Duke e parë politikën si mjet shërbimi dhe jo përfitimi, aty ku jam, aty ku do të jem, dhe aty ku më besohet puna ime, do të vazhdoj të jem në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që na bashkojnë.
