Vdekja e qytetarit Agon Zejnullahu pas momentit të arrestimit në Lipjan ka nxitur Inspektoratin Policor të Kosovës ta hetojë rastin, për ta parë nëse zyrtarët policorë të përfshirë në rast kanë pasur shkelje procedurale.
Gazeta Insajderi merr vesh që për rastin në Lipjan, ku një qytetar ndërroi jetë pas arrestimit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës tashmë ka nisur një hetim.
Sipas burimeve të Insajderit, në këtë rast tashmë janë anagzhuar disa hetues, të cilët janë duke grumbulluar provat e nevojshme.
Insajderi iu është drejtuar edhe me pyetje IPK’së lidhur me rastin, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Policia njoftoi se pak para se viktima ta humbte jetën, ishte në gjendje të dehur dhe dyshohet se po sulmonte automjete e kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në orët e para të së hënës.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, deklaroi ai.
Në media janë publikuar pamje gjatë momentit të arrestimit, ku qytetarë i kanë interpretuar si të dhunshme veprimet e zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin e arrestimit të të ndjerit.