Vjen premtimi i madh: Një mijë euro paga…
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me mësimdhënës, ku ka theksuar rolin e tyre në edukimin e brezave të rinj dhe rëndësinë e arsimit si themel i zhvillimit të vendit.
Abdixhiku ka deklaruar se mësimdhënësit, pavarësisht sfidave, lodhjes dhe mungesës së vlerësimit institucional ndër vite, kanë vazhduar të kryejnë misionin e tyre, duke e cilësuar shkollën si hapësirën ku formohen dija, karakteri dhe e ardhmja e Kosovës.
Në këtë kuadër, ai ka prezantuar zotimet e LDK-së për sektorin e arsimit, duke përfshirë rritjen e pagës në 1000 euro për secilin mësimdhënës, ndërtimin e 80 çerdheve të reja, si dhe zbatimin e mësimit tërëditor me shujta të ngrohta, aktivitete sportive dhe qëndrim tetëorësh në shkollë.
Po ashtu, Abdixhiku ka bërë të ditur se programi i LDK-së parasheh futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë mësimore në shkolla, duke theksuar se arsimi është prioritet i partisë dhe se modeli i zbatuar në Prishtinë synohet të shtrihet në të gjithë Kosovën.
Postimi i plotë:
Për mësimdhënësit dhe mësimin.
Takuam mësimdhënësit. Ata që mbajnë mbi supe barrën më të rëndë të këtij vendi: edukimin e brezave të rinj. Ata që, edhe kur janë nënvlerësuar, të lodhur e shpesh të lënë pas dore nga politika, nuk e kanë lëshuar kurrë misionin e tyre. Sepse shkolla nuk është thjesht një ndërtesë, por vendi ku formohet karakteri, dija dhe e ardhmja e Kosovës.
Prandaj, zotimet tona për arsimin janë të qarta dhe të panegociueshme.
Pagë 1000 euro për secilin mësimdhënës, si respekt real për profesionin dhe dinjitetin e tyre.
Ndërtimin e 80 çerdheve të reja, që fëmijët të kenë fillimin e duhur dhe prindërit mbështetjen që u mungon sot.
Mësimin tërëditor, për shkollë më cilësore, për barazi më të madhe dhe për zhvillim të plotë të nxënësve. Shujta të ngrohta; sport e 8 orë në shkollë.
Dhe futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë në shkolla, sepse Kosova nuk duhet të përgatitet për të djeshmen, por për botën e së nesërmes.
Arsimi është themeli.
Dhe aty fillon çdo ndryshim i vërtetë.
LDK dhe ekipi ynë janë të vetmit që kanë sot arsimin si prioritet. Me shembuj konkret nga Prishtina; me model për gjitjë Kosovën.
