Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë ditës së sotme është përfshirë në një incident fizik me një qytetar.
Pas ngjarjes, avokati i tij, Besnik Berisha në studion e “Info Natës” ka sqaruar se Zemaj është detyruar të vetëmbrohet për shkak që siç thotë “militanti i LVV-së e ka sulmuar”.
Avokati theksoi se sulmi ka pasur ngjyrim politik.
“Nuk ishte tentim për sulm, ishte sulm, i cili nisi me provokim… u nis drejt tij për ta sulmuar, por duket që trimërinë e patë të kufizuar në përqindje dhe u kthye pastaj për të përdorur metoda tjera deri në ndërhyrjen e qytetarëve. Tashmë është kuptuar dhe është publike që është një militant i LVV-së, sulmi ka qenë absolutisht i motivuar për bindjet e tij politike dhe rrjedhimisht ka ngjyrim politik”, tha Berisha në Tëvë1.
Ai shtoi se ligji lejon vetëmbrojtje për aq kohë sa reagimi është proporcional me rrezikun.
“Absolutisht, nuk ka asnjë dilemë, dhuna nuk duhet të jetë as temë, as nuk duhet të promovohet, as normalisht të tolerohet, por dhuna edhe ligjërohet lejohet t’i përgjigjesh me dhunë për aq kohë sa është proporcionale dhe për aq kohë sa nuk ke mjet tjetër për ta shmangur sulmin. Besoj që në rrethanat që ai është gjendur nuk e kanë lejuar ose nuk e kanë ofruar mundësi për t’u kujtuar gjatë se a do ta godet ai me të majtën, apo do ta godet me të djathtën, ose të nxjerrë diçka nga xhepi. Forma e vetme për ta neutralizuar si sulm ka qenë ajo që është ndërmarrë”, deklaroi avokati.
Berisha thotë se rasti i sotëm, tregon mendësinë e një pjese të madhe të qytetarëve të Kosovës.
“Nuk është një ngjarje që duhet ta duartrokasim dhe e kemi mirëprit, por fatkeqësisht kjo është mendësia e një pjese të qytetarëve tanë, të cilët nuk kursejnë as identitetin, as profesionin, as fizikun e as integritetin e dikujt dhe ndodhi ajo që ndodhi që z.Zemaj u gjend në një situatë ku normalisht që fyerja e rëndë që përjetoi dhe sulmi që u ndërmor ndaj e detyroi të mbrohej në mënyrën se si është mbrojt”.
Ndërkaq, Zemaj ka kërkuar falje për rastin. Ai ka thënë se reagimi që ka bërë nuk ia përfaqëson bindjet personale e as parimet si deputet.
