Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se partia me të cilën ai udhëheq ka fituar në shtatë komuna në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Ai, në një paraqitje për media nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, tha se fitorja në shtatë komuna është një sukses për LVV-në.
“Lëvizja Vetëvendosje është hera e katërt që merr pjesë në zgjedhjet lokale. Herën e parë në vitin 2013 kemi fituar një komunë, herën e dytë në vitin 2017 kemi fituar tri komuna, herën e tretë në vitin 2021 kemi fituar në katër komuna dhe në bazë të të dhënave që kemi marrë nga komisionerët tanë, kësaj radhe kemi fituar shtatë komuna. Ky është një sukses i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
“Ne po i presim ende rezultatet nga komunat e tjera, mirëpo tash më duhet të shkojë me nxitim në tubimin festiv një herë në Fushë Kosovë, pastaj në Obiliq, e në fund në Mitrovicë”, u shpreh Kurti.




