Ilir Deda beson se prapa skenës po zhvillohen bisedime mes partive politike për formimin e qeverisë së re.
Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, ai tha se sinjalet për këto diskutime kanë ardhur nga vetë institucionet shtetërore – konkretisht nga Presidenca dhe Kuvendi, përmes deklaratave të Vjosa Osmanit dhe Dimal Bashës.
“Neve na kanë paralajmëruar Vjosa Osmani dhe Dimal Basha, apo prej institucioneve që këta i udhëheqin, që diskutime ka. Diskutime mundet me pas çfarëdo, dhe parimisht s’ka problem nëse ka bisedime mes partive politike, por nuk duhet të bëhet sikur më 2014 e cila ka qenë dramë shumë e madhe politike, dhe e pat helmuar skenën politike”, ka deklaruar Deda.
Sipas tij, më së miri do të ishte që partitë të dalin publikisht dhe të tregojnë për këtë çështje.
“Mendoj që është më së miri me dalë para opinionit publik dhe të tregohet që ndoshta kjo kishte me qenë fillim i një periudhe të uljes së tensioneve dhe gjuhës së keqe politike që e kemi parë që një kohë, dhe te shohim rezultatin këtë të diele se çka do të thotë kjo në realitet”.