Procesi i numërimit të votave në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare të 11 majit po vazhdon me ritëm të shpejtë, teksa deri më tani janë numëruar 60% e qendrave të votimit, përkatësisht 3192 nga gjithsej 5225, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama kryeson me 52.7% të votave, që përkthehet në 83 mandate – një shumicë e mjaftueshme për të siguruar një mandat të katërt radhazi në qeverisje.
Në anën tjetër, Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë marrë 34% të votave, duke siguruar 51 mandate, që përbën një rënie të ndjeshme krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, ku siguruan 63 vende në Kuvend.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është përmbysja e rezultatit në disa nga bastionet tradicionale të opozitës, si Dibra dhe Lezha, ku Partia Socialiste po kryeson për herë të parë pas shumë vitesh.
Ndër forcat e tjera politike:
- Partia Socialdemokrate: 3.7%, 3 mandate
- Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”: 3.5%, 1 mandat
- Partia Mundësia: 2.8%, 1 mandat
- Lëvizja Bashkë: 1.3%, 1 mandat
Partitë më të vogla si Koalicioni Euroatlantik, Koalicioni Djathtas për Zhvillim, Aleanca Demokracia e Re, Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe Lëvizja Atdheu nuk kanë arritur të sigurojnë përfaqësim.