Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka reaguar ndaj diskutimeve për rritjen e pagës minimale, duke akuzuar ministrat në detyrë për keqpërdorim të institucioneve në prag të zgjedhjeve.
Në emisionin Fokusi n’Komuna, Zogaj tha se veprimet e fundit të Qeverisë janë të motivuara politikisht dhe përbëjnë abuzim me pushtetin.
“Këta deputetë e ministra që i kanë uzurpuar zyrat po bëjnë keqpërdorim për përfitime politike. Ajo që e kanë kritikuar gjithë kohës, sot po e bëjnë vetë — shpërndajnë fonde para zgjedhjeve dhe skema sociale për të ndikuar te votuesit,” tha Zogaj.
Deklarata e tij vjen pas takimit mes ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili tha se palët janë pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro.




