Kombëtarja e Kosovës do ta mbyllë kampanjën kualifikuese të Botërorit 2026 në muajin nëntor me sfidën ndaj Zvicrës.
E në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 18 nëntor, “Helvetikët” do të vijnë me tifozët e tyre.
Federata Zvicerane e Futbollit ka dhënë detaje sa u përket tifozëve të tyre që do të zbarkojnë në Kosovë në pjesën e dytë të muajit të ardhshëm.
Sipas saj, për sektorin e tifozëve zviceranë do të shiten biletat me çmim prej 10 eurosh, ndërsa një tifoz mund të pajiset me katër bileta maksimumi.
Ndonëse nuk ka nisur ende shitja e biletave, një gjë e tillë do të bëhet online.
Zvicra e mposhti Kosovën me rezultat të thellë, 4:0 në ndeshjen e parë, ndërsa ajo e kthimit pritet të jetë mjaft e rëndësishme, sidomos për Dardanët, të cilët po e ndjekin pozitën e dytë, që çon në “play-off”, por s’janë pa gjasa as për pozitën e parë, ku do ta kishin konkurrent direkt pikërisht Zvicrën.