Vuçiq për vendimin e 16 shtatorit: Thaçi mund të shpallet kryesisht i pafajshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për 16 shtatorin, datën kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

Vuçiq ka pretenduar se vendimi mund të jetë “kryesisht pafajësues” për ish-krerët e UÇK-së.

“Kam marrë vesh se shpallja e vendimit për Hashim Thaçin është planifikuar për më 16 shtator dhe, me sa kuptoj, ai do të jetë kryesisht një vendim pafajësie”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka pretenduar gjithashtu se Perëndimi po përpiqet, sipas tij, ta paraqesë Serbinë si palën e vetme përgjegjëse për krimet e luftës.

Vuçiq ka shtuar se, sipas informacioneve që pretendon se posedon, Thaçi mund të dënohet vetëm për akuza më të lehta, ndërsa masa e dënimit mund të përkojë me kohën që ai tashmë ka kaluar në paraburgim.

Deklaratat e presidentit serb mbeten pretendime të tij, ndërsa vendimi përfundimtar i takon trupit gjykues në Hagë.

Sot varroset Egzon Bytyqi, i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes në Malishevë

Familjarët kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit Egzon Bytyqi do të bëhet sot, me fillim nga ora 18:00.

Bytyqi po trajtohej në gjendje të rëndë në QKUK, pasi dyshohet se kishte plagosur veten me armë zjarri pas vrasjes së bashkëshortes.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 gusht, rreth orës 23:20, në fshatin Kërvasar të Malishevës. Policia e kishte gjetur çiftin të plagosur me armë zjarri në dhomën e gjumit të shtëpisë së tyre.

Bashkëshortja e tij, 25-vjeçare dhe shtatzënë në javën e 34-të, ndërroi jetë në QKUK pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta shpëtuar.

Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte bërë të ditur se Bytyqi po trajtohej si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes. Rasti ishte iniciuar për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Vuçiç kërkon “varrim dinjitoz” për Ratko Mladiqin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas vdekjes së Ratko Mladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Vuçiç ka deklaruar se Serbia do ta ndihmojë familjen e Mladiqit nëse vendos që ai të varroset në territorin e Serbisë, duke përmendur edhe mundësinë e varrimit në Beograd, pranë vajzës së tij.

“Ne nuk do të lejojmë që gjeneralit t’i mohohet një varrim dinjitoz”, ka deklaruar Vuçiç.

Ai ka kritikuar reagimet e bëra pas vdekjes së Mladiqit, duke i cilësuar ato si pjesë të një “fushate” që, sipas tij, lidhet edhe me çështje juridike dhe politike në të ardhmen.

Vuçiç ka reaguar gjithashtu ndaj ministrit në Qeverinë e Serbisë, Usame Zukorliç, për komentet e tij lidhur me Mladiqin, duke thënë se ai duhet të veprojë si ministër i Serbisë dhe jo vetëm si përfaqësues i Novi Pazarit.

Ratko Mladiq ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës.

Me dhunë ka ardhur në pushtet, më zi duhet t’ia bëjmë”, Lushtaku paralajmëron protesta kundër Qeverisë Kurti

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku sonte foli pas vendosjes së ores së pritjes në këtë qytet.

““Për mua ka rendësi që Hashim Thaçi dhe të tjerët të jenë të lirë, dhe unë mendoj se qytetari e di më së miri se a duhet me vazhdu me këtë lloj qeverisje apo nuk duhet me vazhdu. Unë mendoj që qytetarët kanë me vlerësu unë besoj se ky qysh ka ardh me dhunë në pushtet duhet me ja kthy bile hala ma keq”, tha Lushtaku.

A po na pret “dimri i shekullit”, meteorologët paralajmërojnë tre skenarë

Ndryshe nga pjesët e tjera të botës, El Niño ndikon në Evropë vetëm në mënyrë indirekte. Faktorët kryesorë janë zhvillimet mbi Atlantikun e Veriut, si dhe rryma ajrore dhe vorbulla polare mbi Arktik.

Super El Niño tashmë po nxit spekulimet për një dimër që ndodh një herë në një shekull. Por për Evropën, rryma ajrore dhe vorbulla polare janë veçanërisht të rëndësishme. Është ende shumë herët për të thënë se cili do të jetë rezultati përfundimtar. Meteorologët aktualisht po shqyrtojnë tre skenarë shumë të ndryshëm, dhe debati është nxitur nga një fazë jashtëzakonisht e fortë e El Niños në Paqësorin tropikal. Uji atje është më shumë se dy gradë e gjysmë më i ngrohtë se mesatarja shumëvjeçare në disa vende. Ekspertët tashmë po flasin për një Super El Niño. Fenomeni mund të ketë pasoja të mëdha në të gjithë botën: në Australi favorizon thatësirat, në Amerikën e Jugut shkakton përmbytje dhe gjithashtu mund të sjellë nxehtësi ekstreme. Megjithatë, për Evropën , kjo nuk çon automatikisht në një dimër veçanërisht të ftohtë.

Ndryshe nga pjesët e tjera të botës, El Niño ndikon në Evropë vetëm në mënyrë indirekte. Faktorët kryesorë janë zhvillimet mbi Atlantikun e Veriut, rryma ajrore dhe vorbulla polare mbi Arktik. Historia e konfirmon këtë. Gjatë super El Niños më të fortë ndonjëherë në vitet 1997/98, Gjermania, për shembull, pati një nga dimrat e saj më të butë . Prandaj, dimri i një shekulli nuk është i paraprogramuar, shkruan Heute.

Ende është plotësisht e pasigurt se çfarë do të sjellë dimri që po vjen. Ekzistojnë tre skenarë shumë të ndryshëm në tryezë.

Skenari i parë sugjeron se do të mbizotërojnë kushte të buta dhe me shi. Mund të ketë stuhi, madje edhe erëra me forcë uragani. Rreziku i përmbytjeve do të rritet gjithashtu. Skenari i dytë është një dimër që ka qenë më i shpeshtë vitet e fundit, i ndryshueshëm dhe i butë, me borë të rrallë në zonat më të ulëta. Skenari i tretë, i cili është më interesant për dashamirësit e borës, është një El Niño i fortë që mund të ndikojë në vorbullën polare. Nëse dobësohet dhe bëhet e paqëndrueshme, ajri i ftohtë polar mund të depërtojë shumë në jug. Një front i tillë i ftohtë mund të ndodhë kryesisht në pjesën e fundit të dimrit.

Nga tre skenarët, një dimër vazhdimisht i ftohtë dhe me dëborë konsiderohet aktualisht si më pak i mundshëm . Një kurs i butë dhe me stuhi duket më realist. Ende nuk është e mundur të parashikohet me besueshmëri zhvillimi. Nëse ‘dimri i shekullit’ do të jetë vërtet kërcënues nuk do të vendoset vetëm mbi Paqësorin e ngrohtë. Fati i vorbullës polare do të jetë vendimtar në javët në vijim.

Ndërsa një super El Nino jashtëzakonisht i fortë po zhvillohet me shpejtësi në Paqësorin tropikal, një anomali e re oqeanike, e njohur si Dipoli pozitiv i Oqeanit Indian, po forcohet njëkohësisht në Oqeanin Indian. Ndikimi i kombinuar i të dyjave, sipas parashikimeve të fundit sezonale, do të riformësojë ndjeshëm modelet e motit në Hemisferën Veriore gjatë dimrit të vitit 2026/2027, me pasoja të theksuara për Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Evropën, njoftoi Severe Weather Europe në një parashikim të kohëve të fundit.

Në Evropë, kombinimi i një super El Niño dhe një dipoli pozitiv të Oqeanit Indian po favorizon rritjen e fluksit të ajrit perëndimor nga Atlantiku. Parashikimet tregojnë presion të lartë mbi Evropën Jugore dhe Mesdheun, dhe presion të ulët mbi pjesët veriperëndimore dhe veriore të kontinentit. Kjo do të thotë kryesisht temperatura mbi mesataren në të gjithë Evropën, falë një ndikimi më të butë të Atlantikut, dhe më shumë reshje, veçanërisht në veriperëndim dhe veri. Bora do të kufizohet kryesisht në rajonet veriore dhe verilindore dhe pjesët më malore të Evropës qendrore, pasi ajri më i ftohtë ka më pak të ngjarë të zbresë shumë në jug. Megjithatë, sistemet individuale ciklonike mund të sjellin episode lokale të dëborës në brendësi të vendit.

Kombinimi i një super El Nino jashtëzakonisht të fortë dhe një Dipoli pozitiv të Oqeanit Indian po krijon një motor të fuqishëm tropikal që do të formësojë fuqishëm rrymat e ajrit gjatë dimrit të vitit 2026/2027. Për Amerikën e Veriut, kjo do të thotë një ndryshim i mprehtë i klimës dhe një sezon potencialisht aktiv të borës në pjesët qendrore dhe jugore, ndërsa Evropa mund të presë një dimër kryesisht më të butë dhe më të lagësht me një ndikim më të fortë të Atlantikut./Reporteri.net/

Ndahet nga jeta 25-vjeçarja e plagosur nga zjarri i hotelit në Vlorë

Ka ndërruar jetë 25-vjeçarja që kishte mbetur e plagosur rëndë nga zjarri që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, më 16 gusht.

E reja kishte pësuar djegie në rreth 85 për qind të trupit dhe ndodhej në gjendje kritike.

Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo ishte transferuar në Turqi për mjekim të specializuar, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

25-vjeçarja jetonte me familjen në zonën e Shkozetit në Durrës, shkruan Euronews.

Zjarri në hotel kishte shpërthyer në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, duke lënë të plagosur gjashtë persona, mes tyre edhe shtetas nga Kosova.

Për shkak të përhapjes së flakëve, disa prej personave që ndodheshin brenda hotelit ishin detyruar të largoheshin përmes ballkoneve në përpjekje për të shpëtuar.

Rrethanat e plota të shpërthimit të zjarrit mbeten objekt hetimi.

Prokuroria kërkon dënimin e Sveçlës: Bombola e gazit konsiderohet armë

Prokurori Avni Namani ka kërkuar dënimin e ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla, në fjalën përfundimtare në rastin gjyqësor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.

Prokurori Namani tha se, bazuar në raportet e ekspertizave, bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë.

Ai bëri të ditur se Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit, ndërsa kërkoi që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm.

“E ndryshon dispozitivin e aktakuzës, ashtu që tani duhet të jetë, i pandehuri Xhelal Sveçla, në vitin 2018, në sallën e seancave plenare të Kosovës, gjatë mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme plenare, ka përdorur armë, bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të…, në mënyrë frikësuese ndaj deputetëve dhe personave të tjerë në sallë, ashtu që në disa raste gjatë asaj seance e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së seancave plenare pa asnjë paralajmërim paraprak, pa iu lënë atyre mundësi largimi, duke shkaktuar përhapjen e gazit irritues në hapësirën e mbyllur të sallës, në atë mënyrë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin e tyre, janë detyruar që të lëshojnë seancën e Kuvendit dhe seanca është ndërprerë. Ka kryer veprën penale të përdorimit të armës dhe mjetit të rrezikshëm. Prokuroria heq dorë nga vepra për pengim të personit zyrtar për shkak të parashkrimit të kësaj vepre, pjesa tjetër mbetet e njëjtë. Propozoj gjykatës që të pandehurin ta gjejë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, tha ai.

Ndryshe, në këtë rast po akuzohen edhe Fitore Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Salih Zyba, mirëpo për Sveçlën procedura është veçuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, ka konfirmuar aktakuzën ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të vitit 2018.

Vendimin e Themelores më pas e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Në seancën fillestare, të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër, në seancën fillestare, gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se, si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast ishte pamundësuar vazhdimi i seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1, i Kodit Penal, për të cilën kryerësi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1, i Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.

Haradinaj: Sheholli dëshmoi kundër meje dhe Thaçit në UDB, ekziston një incizim 2-orësh

Daut Haradinaj, ka folur për informatat që, sipas tij, u dërgohen deputetëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, duke thënë se disa prej tyre shoqërohen edhe me prova.

“Personalisht, kontakte të ndryshme, çdo ditë jam i bindur që, qysh më shkruajnë mua, u dërgojnë me dhjetëra deputetëve, zyrtarëve të tjerë dhe njerëzve të caktuar. Krejt janë anonimë. Po t’i jep provat, faktet, nuk ka aty dyshim, janë gjëra të prekshme”, tha Haradinaj.

Duke folur për rastin e Fatmir Shehollit, Haradinaj tha se ekziston një incizim ku, sipas tij, Sheholli raporton në UDB-në në Beograd për të dhe ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Për shembull, përmendët Shehollin. Ekziston një incizim dy orë, ky duke raportuar në UDB në Beograd kundër Hashim Thaçit e Daut Haradinajt para katër viteve. Ekziston ai incizim dhe nuk e nxjerrin në publik”, tha ai.

Haradinaj theksoi se informatat dhe provat e tilla duhet t’u dorëzohen institucioneve kompetente.

“Ka sende që nuk duhet me i zbuluar. Ka sende që duhet me ia dhënë AKI-së, ka sende që duhet me ia dhënë prokurorisë. Institucionet përkatëse duhet t’i kryejnë detyrat e tyre. Mendoj se boshti kurrizor i shtetit të Kosovës është Policia, AKI-ja dhe ushtria. Këta e kryejnë detyrën në mënyrën më perfekte”, u shpreh ai në emisionin “Jehona Politike”.

Daut Haradinaj për personin që e kërcënoi Ramushin nga Kuvendi: Mezi i mbajke dhëmbët në gojë e donte me mbyt aty…

Një person ka kërcënuar me pushkatim në Kuvendin e Kosovës ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.

I njëjti është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim për 30 ditë.

E për këto kërcënime foli Daut Haradinaj në Klan Kosova, i cili tha se askush nuk frikësohet nga këto kërcënime.

“Unë flas politikisht me kryeministrin, ai del një trullan prej banhofave e më shan mua, po ti çka ki, o njeri? Unë për ty s’jam duke folur. Ti merru me familjen tënde, me jetën tane, me të ardhmen tane, edukoji fëmijët tuaj, shijoje lirinë, shijoji institucionet, shijoje infrastrukturën, hajde me neve… Çka ki që po i jep ti kaq zor që duhet me thanë duhet me i mbytë, duhet me i vra… Me kanë asi që vret ti, këtu u kanë vakti, pse nuk erdhe me e kry detyrën…”

“Mezi i mbajke dhëmbët në gojë e donte me mbyt aty. Leni këto hajgare, ma mirë është ata me e kuptu se leni këto sene, nuk o mjet presioni, nuk po bëheni heronj, veç po dokni qesharak. As nuk e tutni askënd me atë gjuhë”, tha Haradinaj.
Tutje, Daut Haradinaj tha se ndihet i lumtur që i hidhëron armiqtë e Kosovës.

“Ndihem krenar për çdo veprim gjatë luftës, që kam arritur ta zemëroj dikë, sepse ai që e kam zemëruar i ka shërbyer Millosheviqit. Më vjen keq që s’kam arritur më shumë”, shtoi ai.

Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, 200 mijë nxënës nuk e dinë kur do t’i kenë librat

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, duke thënë se edhe këtë vit shkollor procesi po shoqërohet me “rrëmujë, vonesa dhe ankth të prindërve”.

Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë se kur do t’i kenë tekstet shkollore.

“Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra”, ka shkruar ajo.

Ajo ka kritikuar gjithashtu Ministrinë e Arsimit për faktin se, sipas saj, më 27 gusht ende nuk është përcaktuar shuma e subvencionimit për librat.

“Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Sipas saj, një qasje e tillë është “poshtëruese ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve” dhe tregon, siç ka thënë ajo, paaftësinë e Ministrisë për të organizuar me kohë edhe proceset më elementare.

“Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Në fund, Lushaku-Sadriu ka kritikuar edhe Qeverinë në detyrë, duke thënë se pasojat e kësaj situate po i bartin fëmijët dhe familjet e tyre.

“Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka përfunduar ajo.