Votat e diasporës përmbysin llogaritë në PDK, kjo figurë e njohur mbetet pa mandat deputeti
Tani kur numërimi edhe i votave të diasporës po shkon drejt fundit, edhe ulëset e Kuvendit të Kosovës është bërë e qartë se kush do ti zë.
VV ka siguruar 53 ulëse, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7.
Këto ulëse të cilat janë shtuar për VV-në pas numërimit të votave me postë, numri i tyre është zvogëluar për partitë e tjera, e disa kandidatë për deputetë që kishin zënë ulëse me vota brenda Kosovës, tani janë jashtë Kuvendit.
Një ndër ta është edhe Bekim Haxhiu i PDK-së, i cili ka marrë 20 mijë e 241 vota por për shkak të kuotës gjinore mbetet jashtë Kuvendit.
E njëjta histori i kishte ndodhur atij edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai kishte mbetur jashtë Kuvendit pas numërimit të votave me postë, shkruan lajmi.net.
Ai kishte bërë atëherë ankesë në PZAP, me të cilën kishte kërkuar që të anulohen të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas 29 dhjetorit 2025 dhe të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet e pranuara pas këtij afati, përfshirë ato të pranuara më 2 dhe 5 janar 2026 për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Këtë ankesë, PZAP e kishte hedhur si të pasafatshme.
Paneli kishte vlerësuar se ankesa është parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e ankesës, sipas nenit 119, paragrafi 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku afati për dorëzimin e ankesës është 48 orë nga ndodhja e shkeljes së supozuar, dhe se ankesa është dorëzuar në PZAP më datë 11 janar, ndërsa shkelja e supozuar sipas ankuesit ka ndodhur më 2 dhe 5 janar.
Deputetët e PDK-së që do të hyjnë në Kuvend të Kosovës janë: Bedri Hamza, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Ganimete Musliu, Enver Hoxhaj, Arben Mustafa, Rrahman Rama, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Besa Kabashi Ramaj, Jakup Nura, Eman Rrahmani, Altin Krasniqi, Artan Behrami, Fadil Demaku, Blerta Deliu Kodra, Rrustem Mustafa, Eliza Hoxha dhe Ariana Musliu Shoshi.
