Lajmi i Fundit
BE reagon pasi Qeveria Kurti nuk ia përfilli thirrjen për të ndalur rrënimet te Ujmani: Jemi të shqetësuar

Institucionet e Kosovës kanë vazhduar me prishjen e objekteve në zonën e Ujmanit në Veri të vendit, pavarësisht thirrjes së BE-së që të mos vazhdohet procesi i rrënimit, derisa të sqarohet nga gjykata statusi i objekteve në fjalë.

Një zëdhënës i BE-së ka thënë  se Brukseli zyrtar shpreh keqardhje për prishjen e ndërtimeve në zonën e Liqenit të Ujmanit, aq më shumë që “kërkesat për pronësi janë ende nën shqyrtim gjyqësor”.

BE bën thirrje drejt institucioneve të Kosovës që të ndalojnë çdo prishje të mëtejshme dhe të punojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur një zgjidhje ligjore dhe të qëndrueshme.

“Çdo hap i pakthyeshëm, përfshirë prishjet, duhet të pezullohet derisa gjykata kompetente të ketë dhënë një vendim përfundimtar mbi kërkesat e pazgjidhura”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së për Express.

Nga Brukseli kanë thënë se do të ishte shkelje serioze e sundimit të ligjit nëse do të vërtetohej se prishjet kanë ndodhur pa një proces të rregullt administrativ dhe ligjor.

“BE-ja është e shqetësuar nga raportet që sugjerojnë se masat e prishjes mund të jenë ndërmarrë pa mbrojtje të mjaftueshme administrative, duke përfshirë njoftim të qartë, vendime të arsyetuara dhe mundësi efektive për apelim ose mjet juridik Nëse konfirmohen, veprime të tilla do të përbënin shkelje të rënda të sundimit të ligjit dhe të procesit të rregullt ligjor”, ka përfunduar ky zëdhënës.

Institucionet e Kosovës të enjten më 30 korrik kanë vazhduar rrënimet në Veri, duke e shkatërruar objektin e restaurantit me emrin “Jezero”. Prishja e objekteve ka nisur ditë më parë. Ministrja në detyrë Fitore Pacolli të enjten përmes një postimi në profilin e saj zyrtar, ka treguar se numri i objekteve të rrënuara në atë pjesë ka shkuar në 17.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *