Fenomen i çuditshëm në Gjirin e Lalzit, pamjet bëhen virale
Një video e publikuar nga gazetari Blendi Fevziu nga Gjiri i Lalzit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi në pamje duket një fenomen i pazakontë mbi sipërfaqen e detit.
Fevziu e ka shpërndarë videon me përshkrimin: “Fenomen i çuditshëm në Gjirin e Lalzit. Kush e shpjegon?”, ndërsa ka bërë të ditur se pamjet janë realizuar nga Enxhi Ferhati.
Videoja ka marrë qindra komente, me shumë përdorues që kanë dhënë shpjegime për atë që duket si një formë e deformuar e horizontit mbi det.
Disa komentues kanë sqaruar se bëhet fjalë për një fenomen optik të njohur si mirazh detar, ose Fata Morgana, i cili krijohet si pasojë e përthyerjes së dritës në shtresa ajri me temperatura të ndryshme.
“Është mirazh detar, njihet rëndom nga marinarët si Fata Morgana. Janë shtresëzime ajri me temperatura të ndryshme mes njëra-tjetrës dhe përthyejnë dritën në mënyrë jo të zakonshme”, ka komentuar Genci Kojdheli.
Edhe të tjerët kanë dhënë një shpjegim të ngjashëm duke theksuar se fenomeni ndodh kur rryma të ftohta ajri kalojnë mbi ujë të ngrohtë, duke shkaktuar deformimin e pamjes së horizontit.
“Rryma të ftohta ajri mbi det të nxehtë përthyejnë dritën dhe e fragmentojnë. Në Adriatik ndodh shpesh. I bën anijet të duken sikur fluturojnë. Ndodh edhe në Vlorë”, thuhet në sqarim.
