Fenomen i çuditshëm në Gjirin e Lalzit, pamjet bëhen virale

Një video e publikuar nga gazetari Blendi Fevziu nga Gjiri i Lalzit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi në pamje duket një fenomen i pazakontë mbi sipërfaqen e detit.

Fevziu e ka shpërndarë videon me përshkrimin: “Fenomen i çuditshëm në Gjirin e Lalzit. Kush e shpjegon?”, ndërsa ka bërë të ditur se pamjet janë realizuar nga Enxhi Ferhati.

Videoja ka marrë qindra komente, me shumë përdorues që kanë dhënë shpjegime për atë që duket si një formë e deformuar e horizontit mbi det.

Disa komentues kanë sqaruar se bëhet fjalë për një fenomen optik të njohur si mirazh detar, ose Fata Morgana, i cili krijohet si pasojë e përthyerjes së dritës në shtresa ajri me temperatura të ndryshme.

“Është mirazh detar, njihet rëndom nga marinarët si Fata Morgana. Janë shtresëzime ajri me temperatura të ndryshme mes njëra-tjetrës dhe përthyejnë dritën në mënyrë jo të zakonshme”, ka komentuar Genci Kojdheli.

Edhe të tjerët kanë dhënë një shpjegim të ngjashëm duke theksuar se fenomeni ndodh kur rryma të ftohta ajri kalojnë mbi ujë të ngrohtë, duke shkaktuar deformimin e pamjes së horizontit.

“Rryma të ftohta ajri mbi det të nxehtë përthyejnë dritën dhe e fragmentojnë. Në Adriatik ndodh shpesh. I bën anijet të duken sikur fluturojnë. Ndodh edhe në Vlorë”, thuhet në sqarim.

 

Hykmete Bajrami del me reagim pas Kuvendit të LDK-së

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, duke thënë se ishte në mesin e 152 delegatëve që besuan se Lidhjes Demokratike të Kosovës i nevojitej ndryshimi.

Bajrami tha se 170 delegatë të tjerë kishin një mendim ndryshe.

“Po, unë isha në mesin e 152 delegatëve që besuam se LDK-së i duhet ndryshimi, por ishin 170 të tjerë, të cilët mbrëmë patën mendim ndryshe. Në shtëpinë e demokracisë, gjithmonë fiton demokracia. Urime, LDK!”, ka shkruar Bajrami.

Ahmeti: Kam informacione që ka iniciativa për të paditur Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Hagë

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në një paraqitje në KohaCast, tha se ka informacione që në Gjykatën Kushtetuese ka iniciativa për të hapur çështjet e Tribunalit të Hagës, gjegjësisht paditjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Ahmeti tha se nëse hapen plagët e vjetra, dhimbja është më e madhe se sa kur hapen plagë të reja.

“Kam informacione që ka iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për të hapur çështjet e tribunalit të Hagës për t’u padit Ushtria Çlirimtare Kombëtare për krime lufte. Jo që më frikëson, por të hapësh plagë të vjetra dhimbja është më e madhe se sa kur hapet një plagë e re. Janë çështje që i kemi mbyllur më shumë se 20 vite më parë”, tha Ahmeti.

Duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ahmeti vlerësoi se partitë shqiptare kanë qenë bartëset kryesore të avancimit të saj, ndërsa kritikoi partitë maqedonase për mungesë angazhimi në promovimin e frymës së marrëveshjes.

“Partitë shqiptare kanë punuar shumë më tepër për promovimin e Marrëveshjes së Ohrit. U kam thënë edhe partive maqedonase se nuk kanë bërë sa duhet për t’ua shpjeguar qytetarëve maqedonas rëndësinë e saj. Ekziston bindja se me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit maqedonasit e humbasin shtetin, por kjo nuk është e vërtetë. Me Marrëveshjen e Ohrit kanë fituar edhe shqiptarët, edhe maqedonasit”, theksoi Ahmeti.

Ai shtoi se sfidat më të mëdha në zbatimin e marrëveshjes kanë qenë gjatë miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, proces që, sipas tij, u përmbyll vetëm në vitet 2016-2017. Sipas Ahmetit, Marrëveshja e Ohrit mbetet kompromisi historik që ruajti karakterin multietnik të shtetit dhe shmangu skenarin e ndarjes territoriale të Maqedonisë.

Zbulohen tre kushtet e LDK-së për koalicion me Vetëvendosjen

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë u përmbyll me sukses dhe në një frymë pozitive, duke bërë të ditur se tashmë kjo përplasje e brendshme i përket të kaluarës.

Haziri theksoi se procesi pasqyroi pjekurinë politike të LDK-së dhe kulturën e saj të brendshme.

“Është mbyllur sot një Kuvend në një atmosferë kolegiale dhe të punës, ashtu siç di LDK-ja: paqësore, të durueshme dhe miqësore me njëri-tjetrin. Ky kapitull tashmë ka përfunduar”, është shprehur Haziri.

Përveç zhvillimeve brenda partisë, nënkryetari i LDK-së u ndal edhe te mundësia e një bashkëqeverisjeje të ardhshme me Lëvizjen Vetëvendosje, ku shpalosi tre parimet kryesore mbi të cilat mund të ndërtohet një bashkëpunim i tillë: Marrëveshje për të gjitha ose për asgjë; harmonizimi i agjendës shtetërore, politikave sektoriale dhe programit qeverisës; dhe ndarje e përgjegjësive konform dy parimeve të para.

Pasi u rikonfirmua kryetar i LDK-së, ky është vendimi që Abdixhiku mori për Vjosa Osmanin

Kryetari i rikonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar disa nga vendimet kryesore politike të marra gjatë punimeve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.

Ndër vendimet e këtij Kuvendi është inkorporimi i të gjithë deputetëve të zgjedhur të LDK-së në organin më të lartë drejtues mes dy kuvendeve – Këshillin e Përgjithshëm.

Me këtë vendim, Vjosa Osmani rikthehet zyrtarisht në strukturat e LDK-së si anëtare e Këshillit të Përgjithshëm me të drejta të plota. Bashkë me të, pjesë e këtij organi bëhet edhe deputetja tjetër e zgjedhur nga lista e saj, Albena Reshitaj.

“Morëm vendim që në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së t’i inkorporojmë si anëtarë me të drejta të plota të gjithë deputetët e LDK-së, të cilëve u urojmë mirëseardhje në këtë Këshill të Përgjithshëm”, deklaroi Abdixhiku.

Nisin largimet në LDK pasi Abdixhiku rikonfirmohet kryetar i partisë

Me një rezultat të ngushtë, Lumir Abdixhiku ka arritur ta ruajë pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm kanë nisur largimet nga strukturat e partisë.

Shkumbin Aliu ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të degës së LDK-së në Gadime të Ulët, si dhe nga funksioni i anëtarit të kryesisë së degës në Lipjan.

Vendimin e tij Aliu e ka bërë publik përmes një postimi në Facebook, duke shënuar kështu një nga dorëheqjet e para pas kuvendit ku Abdixhiku u rizgjodh në krye të partisë.