Lajmi i Fundit
A arriti të zë një ulëse në kuvend Adelina Thaçi?

Artistja dhe kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adelina Thaçi, ka thyer heshtjen përmes një reagimi publik në rrjetet e saj sociale pas përfundimit të procesit zgjedhor të 7 qershorit.

Me përfundimin e numërimit të votave, ajo nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për të zënë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, prandaj Adelina ka zgjedhur të falënderojë me përulësi të gjithë ata që besuan tek ajo gjatë kësaj garë politike.

Përmes një mesazhi drejtuar miqve, mbështetësve dhe bashkëudhëtarëve të saj, Adelina u shpreh se çdo votë e marrë për të ka qenë përgjegjësi, respekt dhe motivim i madh për të vazhduar rrugëtimin. Ajo theksoi se ndihet krenare dhe plotësisht mirënjohëse për mbështetjen e jashtëzakonshme, duke shtuar se humbja e një mandati nuk nënkupton kurrsesi humbjen e idealit, të punës dhe të vlerave të përbashkëta.

Më tej, Adelina nënvizoi se rrugëtimet e rëndësishme në jetë dhe politikë nuk maten thjesht me rezultatin e një dite të vetme, por me gjurmët që lihen pas dhe me besimin që ndërtohet ndër vite me njerëzit. Ajo premtoi se do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve, duke punuar me të njëjtin përkushtim dhe duke kontribuar në çdo hapësirë të mundshme për të mirën e vendit. Reagimin e saj ajo e mbylli me një falënderim të sinqertë për çdo fjalë të mirë dhe çdo zemër që i besoi në këtë sfidë të re. /Prive By Liberta Spahiu

 

Haziri foli për marrëveshje me VV, s’vonon përgjigja e Hotit

Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Avdullah Hoti, ka bërë një reagim pasi nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, kërkoi marrëveshje me VV’në.

Hoti e ka cilësuar këtë si eksperiment, teksa ka dalë kundër kësaj ideje, shkruan Reporteri.net.

Ai ka thënë se zgjedhjet treguan se LDK duhet të rikthehet fuqishëm të elektorali i saj tradicional.

“Rezultati ka dhënë një mesazh të qartë: LDK duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat e saj dhe te vizioni që e ka ndërtuar këtë parti. Duhet të luftojmë çdo mentalitet që dobëson aleancat tona historike dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës.

LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historic”, ka shkruar Hoti.

Lutfi Haziri lyp marrëveshje VV-LDK, thotë se Vjosa Osmani tërhiqet nga kandidatura për Presidente

Nënkryetari i LDK’së, ka kërkuar marrëveshje VV-LDK për dalje të vendit nga kriza për zgjedhjen e Presidentit.

Ai foli për rëndësinë e një marrëveshje politike “pako”.

Sipas Hazirit, Presidentja Vjosa Osmani do të tërhiqej nga kandidatura nëse veç emri i saj konsiderohet pengesë për arritjen e një marrëveshje.

“Kjo marrëveshje do të mundësonte që vendi t’i kthehet stabilitetit”, ka deklaruar Hazirin në T7.

Ai tha se sipas procesit, ata do ta adaptojnë emrin e përveçëm.

“LDK as nuk e ka pas e as nuk e ka asnjë problem me emër të përveçëm. Nëse mendohet se  znj. Osmani ka qenë apo mundet me qenë problem, unë ju siguroj edhe sot që vetë ajo ka konfirmu që nuk është emri i saj problem në arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet”, ka shtuar Haziri.

Adriana Matoshi siguron mandatin e katërt, por mbështetje më e ulët se më parë

Aktorja e njohur dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, ka arritur të sigurojë një mandat të katërt në legjislativ, sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Megjithatë, mbështetja e saj elektorale ka pësuar një rënie të dukshme krahasuar me ciklin e kaluar zgjedhor.

Matoshi, e cila ka kandiduar me numrin 43 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ka shënuar kështu herën e saj të katërt në garën për deputete. Ajo vazhdon të jetë një figurë e njohur në politikën kosovare, duke ruajtur një vend të rëndësishëm në skenën publike.

Sipas rezultateve të deritanishme, ku janë numëruar mbi 97 për qind e votave, aktorja nga Gjilani ka arritur të sigurojë mbi 23 mijë e 300 vota, duke u renditur e 31-ta në listën e kandidatëve më të votuar të partisë së saj. Kjo tregon se ajo ka ende një mbështetje të konsiderueshme nga elektorati.

Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, Matoshi ka përjetuar një rënie të dukshme. Në zgjedhjet e dhjetorit, ajo kishte arritur të grumbullonte 38,348 vota, duke u renditur në vendin e 20-të ndër kandidatët më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky rezultat i ri i Matoshit, pavarësisht se i siguron asaj një tjetër mandat në Kuvendin e Kosovës, tregon se ajo duhet të punojë për të rikthyer mbështetje më të madhe nga elektorati. Angazhimi i saj politik do të vazhdojë paralelisht me karrierën artistike.

Adriana Matoshi është e njohur fillimisht për sukseset e saj në aktrim, por prej vitesh ajo është pjesë aktive e jetës politike në vend. Ajo është një nga figurat më të komentuara dhe më të ndjekura në radhët e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rezultat, Matoshi vazhdon të mbetet një prej figurave më të njohura publike, por sfidat e saj në politikë janë të dukshme. Ajo do të duhet të adresojë këtë rënie të mbështetjes për të ruajtur pozitat e saj në të ardhmen.

Rritja e angazhimit të saj në politikë, përveç karrierës artistike, do të jetë një faktor kyç për të ardhmen e saj në Kuvendin e Kosovës.

Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën

Raporti për Kosovën i hartuar nga eurodeputeti Riho Terras ka kaluar me shumicë solide votash në Parlamentin Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Terras përmes një postimi në rrjetin social “X”.

Sipas rezultateve të votimit, 412 deputetë kanë votuar pro raportit, 174 kanë qenë kundër, ndërsa 58 kanë abstenuar.

“ Reformat e vazhdueshme dhe progresi në dialogun e lehtësuar nga BE mbeten thelbësore në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar Terras.

 

Mësohet nëse Armend Baloku ka siguruar mandatin e deputetit

Aktori i njohur kosovar, Armend Baloku, do të jetë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, pasi ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Baloku vendosi që për herë të parë ta sprovojë veten në politikë në zgjedhjet e 7 qershorit, ku garoi me numrin 24 në listën e partisë së kryeministrit Albin Kurti.

Sipas rezultateve të deritanishme, ku janë numëruar mbi 97 për qind e votave totale, aktori ka arritur të grumbullojë mbi 25 mijë e 700 vota, rezultat që i siguron një ulëse në Kuvend për mandatin e tij të parë si deputet.

Rezultati i Armend Balokut me 97% të votave të numëruara (Foto: KQZ)

Me këtë rezultat, Baloku bëhet një nga emrat e njohur të artit që do të përfaqësojnë qytetarët në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit. Në fakt, pothuajse të gjithë artistët që ishin pjesë e listës së Vetëvendosjes në këto zgjedhje kanë arritur të fitojnë besimin e votuesve.

Përveç Armend Balokut, mandat deputeti kanë siguruar edhe aktorja Adriana Matoshi dhe këngëtarja Edona Llalloshi, duke dëshmuar mbështetjen e konsiderueshme që figurat publike kanë marrë nga elektorati.

Armend Baloku, i cili është me origjinë nga Peja, njihet gjerësisht për skeçet e tij humoristike dhe angazhimin në projekte të ndryshme artistike ndër vite. Ai është gjithashtu bashkëshorti i aktores së njohur rugovase, Vlora Nikçi.

Tashmë, përveç karrierës së tij në skenën artistike, Baloku do të nisë edhe një kapitull të ri në jetën publike, këtë herë si përfaqësues i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

E la listën Guxo dhe iu bashkua Vjosa Osmanit dhe LDK-së, Jeta Statovci mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që gjatë ditës së sotme, e mërkurë, të përmbyllë numërimin e të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, pritet të numërohen 8 kutitë e mbetura, në të cilat janë sistemuar fletëvotimet nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta.

E nga numërimi i deritanishëm del se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që t’i sigurojë 53 mandate në Kuvendin e Kosovës, PDK 22 , LDK 18 kurse AAK-ja 7

E nga numërimi i fundit kandidatja që sërish humbi mundësinë që të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës është ish-deputetja e Listës Guxo tani mbështetëse e Vjosa Osmanit, Jeta Statovci.

Me 15.657 vota, Jeta Statovci mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe Statovci doli nga Lista Guxo duke përkrahur Osmanin si prijëse të listës së LDK-së, por në bazë të rezultateve as njëra as tjetra nuk është që sollën ndonjë ndryshim të madh apo rezultat të dukshëm në LDK.

Detaje të reja për konfliktin e armaťosur në Veternik – dihet identiteti i të plagosurit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me rastin e vrasjes në tentativë ku i plagosur ka mbetur Shkëlqim Kastrati, një ish i kërkuar ndërkombëtarisht.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 23:30 në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë, ka treguar Prokuroria përmes një komunikate.

Sipas Prokurorisë, Kastrati ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për mjekim në Qendrën Klinike Universitare.

Në komunikatë, Prokuroria ka bërë të ditur se ka identifikuar edhe të dyshuarin, N.B, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për vrasje në tentativë.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisja nga Policia e Kosovës, ku aty është gjetur një armë e gjatë, shtatë (7) gëzhoja dhe trembëdhjetë (13) fishekë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale gjatë zhvillimit të procedurës hetimore. Ndërkohë, gjatë ekzaminimeve përkatëse, nga njësitet relevante, është konstatuar se në automjetin e viktimës, Sh.K. është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë dhe dymbëdhjetë (12) fishekë”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.

Kastrati dyshohet se është goditur në shpinë, teksa ka tentuar të largohet nga vendngjarja por ishte përplasur më pas me makinën e tij luksoze në një zonë në periferi të Prishtinës.

Kastrati, 30-vjeçar, i njohur me nofkën “Kimi” është emër i njohur për organet e sigurisë si në Kosovë ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Kastrati ishte shpallur në kërkim nga Interpoli për veprën penale “Vrasje me dashje”.

Ai ishte arrestuar në gusht të vitit 2023 nga Policia e Kosovës, ndërsa ishte përfshirë dy vite më pas në një shkëmbim me armë zjarri në rrugën B.

Lushtaku paralajmëron: Jap dorëheqje nëse PDK bën koalicion me LVV-në

Kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku në një bisedë telefonike për RTV21 ka deklaruar se nëse PDK arrinë marrëveshje bashkëpunimi me LVV-në Lushtaku jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj.

Lushtaku për RTV21 tha se PDK nuk do duhej të bashkëpunonte me një subjekt politik që gjuhën helmuese dhe degraduese e ka në rend të parë.

“Nëse Partia Demokratike e Kosovës arrin marrëveshje ose lidhë koalicion me LVV-në unë automatikisht jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj.

Ata e dijnë ma mirë janë kryesia e partisë por për mua është e pa pranueshme bashkëpunimi me një subjekt politik që gjuhën helmuese e ka në rend të parë…”.

Nura i PDK-së: PDK duhet të votojë çdo kandidat të LVV-së për kryeparlamentar

Anëtari i kryesisë së PDK-së, deputet i zgjedhur nga numërimet e deritanishme Jakup Nura, tha se partia e tij duhet është e gatshme për bashkëpunim sa i përket institucioneve të reja. Sipas tij PDK-ja duhet të votojë çdo kandidat të LVV-së për kryeparlamentar derisa sa i përket presidenti duhet bashkëpunim.

Nura tha për RTV21 se tri pozita shtetërore në asnjë rrethanë nuk duhet t’i takojnë LVV-së.

“Sa i përket ndërtimit të institucioneve PDK vazhdimisht ka treguar fleksibilitet dhe interesim për krijimin e tyre tani ne si subjekt politik do të koordinohemi dhe do veprojmë sipas rrethanave që do të krijohen dhe sipas ofertës së fituesit që do ta bëjë karshi partive opozitare. Edhe radhën e kaluar si mollë sherri apo si figurë që s’kemi mundur të gjejmë një kompromis ka qenë figura presidenti mendoj se presidenti edhe sikur PDK t’i fitojë 80% unë do votoja kundër që PDK-ja ta ketë edhe presidentin kjo vlen edhe për partinë që ka fituar shumicën LVV mendoj se pozita e presidenti ose tri pozitat kyçe në asnjë rrethanë s’duhet t’i takojnë një partie politike. Unë mendoj se çdo njërin që propozon LVV-ja, pozita e kryeparlamentarit ju takon partisë fituese dhe mendoj se PDK duhet t’i japë votë cilit do qoftë ai kandidat për pozitën e kryeparlamentarit mendoj se edhe qeveria do jetë Kurti ai që do vendos si do kombinojë qeverinë”, tha Nura për RTV21.

Ai nuk bëri të ditur nëse PDK-ja është për një kandidat konsesual apo partiak pro sipas tij, nëse presidenti do të jetë nga PDK-ja atëherë kandidati i saj do të ishte i denjë për atë pozitë.

“Çdo parti synon ta arrijë qëllimin e vet dhe ta ketë njeriun e saj në pozitat kyçe por edhe nëse do të jetë i PDK-së mendoj se ai me marrjen e asaj pozite të presidentit jam i bindur qe do luaj rolin e asnjanës”, tha Nura për RTV21.