Ymeri kundër vendimit të Kuvendit të LDK-së që i obligon deputetët t’i zbatojnë vendimet e partisë
Deputetja e zgjedhur e LDK’së, Janina Ymeri, ka reaguar pas vendimit që u miratua nga Kuvendi i Përgjithshëm i LDK’së, duke shpërndarë disa nene të Kushtetutës ku flet për mandatin e deputetëve dhe duke shkruar: “Kosova djep i demokracisë”.
Pas konfirmimit të Lumir Abdixhikut kryetar, Kuvendi në fund miratoi një deklaratë me disa vendime ku ndër të tjera obligohen deputetët e Grupit Parlamentar të partisë të respektojnë vendimet që merr partia.
Ymeri ndau nenin 70 ku thotë: 1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues; 2. Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë dhe këtë të sotmin”, u tha në njërën prej vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së.
