Zvicër: Shiti 3.1 ton mish derri si “hallall”, dënohet me burg
Në Zvicër është zbuluar një skandal në industrinë ushqimore, ku një kasap në Cyrih ka mashtruar klientët për vite me radhë duke shitur mish derri të etiketuar si mish viçi “hallall”.
Sipas raportimeve, për rreth tre vite ai ka shitur afro 3.1 ton mish, duke i paraqitur produktet si të certifikuara “hallall”, ndërkohë që në realitet bëhej fjalë për mish derri – i ndaluar për konsum nga besimtarët myslimanë.
Rasti doli në pah gjatë një kontrolli rutinë nga inspektorët e sigurisë ushqimore, të cilët vunë re mospërputhje mes produktit dhe përshkrimit të tij. Hetimet e mëtejshme konfirmuan mashtrimin, duke zbuluar se klientët kishin paguar për mish viçi, zakonisht më i shtrenjtë, ndërsa kishin marrë mish derri më të lirë.
Gjykata në Cyrih e dënoi kasapin me 6 muaj burg dhe një gjobë prej 18 mijë frangash zvicerane. Sipas prokurorisë, ai kishte përfituar shuma të konsiderueshme financiare nga ky mashtrim.
Ky rast ka ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin dhe verifikimin e produkteve “hallall”, si dhe për nivelin e transparencës në tregun ushqimor në Zvicër.
Autoritetet kanë nisur shqyrtimin e procedurave të kontrollit për të kuptuar se si një mashtrim i tillë ka mundur të vazhdojë për një periudhë kaq të gjatë pa u zbuluar.


