div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
“Binomi Osmani-Abdixhiku”, Kurti: Njerëzit kanë dëshira, por s’duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u pyet për bashkëpunimin e ardhshëm të ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku, në zgjedhjet e qershorit.

“Sa i rrezikshëm është binomi Osmani-Abdixhiku për Vetëvendosjen”, ishte pyetja e gazetarëve për Kurtin.

Në përgjigje, Kurti përmendi përqindjen e numrin e deputetëve që mori Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Të gjithë që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen, le të punojnë me krejt çka dinë e munden dhe iu dëshiroj sukses. Por, duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie as një pretend për çfarëdo posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh. Populli ia dha Vetëvendosjes 51.1%, jo 50%, 51. Jo 51, po 51.1%”.

Këtu Kurti përmendi edhe “nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë”.

“Njerëzit kanë dëshira dhe kjo është normale, por s’duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet”, tha Kurti për Osmanin e Abdixhikun.

I pyetur se si do të qëndrojë me përqindje pas zgjedhjeve të qershorit, Kurti tha se mbetet të shihet derisa aludoi se opozita e ka penguar atë.

“Besoj që qytetarët e kanë kuptuar se sa herë përpiqesh t’ia vësh digën një rrjedhje socio-historike e politike siç është Lëvizja Vetëvendosje atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vu diga, është rritur prurja. E tash sa do të jetë do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit”.

Haxhi Avdyli “selam” Vetëvendosjes: Nëse doni luftë, luftë keni me pas

Ish-deputeti Haxhi Avdyli ka thënë se Vjosa Osmani po linçohet se është grua, por ka burra që do ta mbrojnë atë.

Ndërsa ka dhe një “selam” për Vetëvendosjen, për të cilën ka thënë se nëse do luftë, luftë do të ketë.

“Po dojnë me linçu Vjosa Osmanin se është grua. Por po harrojnë që ka dhe burra që e mbrojnë atë grua. E ftoj VV-në , bëni luftë të ndershme se nëse doni luftë, luftë keni me pas. Nëse doni bashkëpunim para dhe pas zgjedhjeve, ndershmëri dhe projekte vazhdojmë me projekte”, tha ai.

Kurti komenton shtyrjen e vendimit për krerët e UÇK-së në Hagë

Vendimi përfundimtar gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur informacion paraprak për shtyrjen e vendimit. Ndërsa ka thënë se Kosovës i duhen gjykata normale, jo speciale.

“Sa i përket Gjykatës Speciale dhe shtyrjes për dy muaj të vendimit, ne e morëm vesh njësoj sikurse ju, për shkak se qeveria nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që ndodhin në Gjykatën Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca ndaj vendit tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale. 3 gushti i vitit 2015 është ndër ditët më të rënda të Kosovës së pavarur. Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të mësohet në histori si luftë e drejtë kundër një okupatori gjenocidal. Ishte luftë antikolonialiste. Ky ishte gjenocidi i katërt që ka bërë Serbia ndaj popullit tonë. UÇK-ja, si pjesë e luftës çlirimtare, është një luftë që gjithmonë duhet të kujtohet, të mbrohet dhe të mësohet. Është e domosdoshme që të nxirren mësimet nga gabimet politike që janë bërë dhe që na kanë sjellë në këtë situatë. Ne kemi një gjykatë speciale që i vonon vendimet e saj. Besojmë në drejtësinë e luftës dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha ai.

U tha se Majlinda Kelmendi do të jetë pjesë e listës së Vjosa Osmanit, reagon klubi i xhudos

Klubi i Xhudos “Ippon” ka bërë të ditur se kampionja olimpike Majlinda Kelmendi nuk do të jetë pjesë e asnjë partie politike dhe nuk do të angazhohet në asnjë listë zgjedhore.

Përmes një mesazhi, klubi ka mohuar zërat për përfshirjen e saj në politikë.

“Përmes këtij mesazhi duam t’ju informojmë se Majlinda Kelmendi nuk do të jetë pjesë e asnjë partie politike”, u tha në mesazhin e dërguar për Debat Plus.

Reagimi erdhi pasi  në emision u tha se po flitet mundësia e përfshirjes së saj në listën e Vjosa Osmanit për zgjedhjet e ardhshme, gjë që tashmë është mohuar zyrtarisht.

Pranga për korrupsion e ryshfet – këta janë zyrtarët dhe personat që u arrestuan në aksionin e PSRK-së

Një aksion i madh i Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Speciale ka “zbarkuar” mëngjesin e djeshëm në Prishtinë, ku disa persona kanë përfunduar në pranga nën dyshimet për korrupsion, ryshfet dhe manipulime me shpronësime të tokave, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Burimet bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar pas zgjerimit të hetimeve nga PSRK-ja, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë bashkëvepruar në kundërshtim me ligjin në çështje që lidhen me shpronësime të tokave.

Në mesin e të arrestuarve janë:

* Shaban Syla rreth 69 vjeç

* Halil Mustafa rreth 66 vjeç

* Vegim Gashi rreth 63 vjeç

* Hajrullah Muli rreth 62 vjeç

* Avdi Pireva rreth 57 vjeç

* Nexhat Raifi rreth 60 vjeç

* Nexhmije Karaqi rreth 60 vjeç

Sipas informatave që posedon Sinjali, hetuesit e Krimeve Ekonomike kanë realizuar kontrolle në tetë lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku janë sekuestruar telefona, laptopë, pajisje elektronike, dokumente dhe para të gatshme.

Burimet konfirmojnë se gjatë bastisjeve janë konfiskuar:

* 10 telefona,

* 4 laptopë,

* një kompjuter,

* një USB,

* 6450 euro cash,

* si dhe dokumentacion që dyshohet se lidhet me aferën nën hetim.

Të dyshuarit janë shoqëruar në objektet policore dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës.

Me vendim të Prokurorit Special, të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë intensivisht.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

E rëndë: Foshnja lind në tualet të Emergjencës, vdes pak pas lindjes

Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të dyshuar të vrasjes së foshnjës në Ferizaj.

Sipas policisë, e dyshuara raportohet se kishte lindur foshnjën në tualetin e Emergjencës.

Foshnja ishte gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kishte vdekur pas një kohe të shkurtër, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Reporteri.net.

“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion, ndërsa rasti po hetohet për procedura të mëtejshme. Ndërkohë, e dyshuara po trajtohet në repartin e Gjinekologjisë në Ferizaj”, kanë thënë nga Policia.