Këta pritet të jenë drejtorët e rinj të klinikave në QKUK
Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të rinj në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po shkon drejt finalizimit, ndërsa tashmë janë bërë të ditur emrat e disa prej udhëheqësve që pritet të marrin drejtimin e klinikave kryesore.
Indeksonline ka mësuar emrat që pritet të udhëheqin klinikat e QKUK-së, ndërsa në disa raste procesi ende nuk është përmbyllur ose ka dështuar.
Burime të indeksonlinet kanë thënë se në Klinikën e Kirurgjisë Torakale pritet të zgjedhet dr. Afrim Tahiri, ndërsa dr. Arsim Gashi pritet të drejtojë Institutin e Psikiatrisë Forenzike në QKUK. Ismet Jusufi pritet ta udhëheqë Klinikën e Anesteziologjisë, derisa Edmond Komoni po ashtu pritet të udhëheq Klinikën e Neurologjisë.
Ndërsa Klinikën e Gjinekologjisë do të vazhdojë ta udhëheqë dr. Zef Nderaj, ndërsa dr. Shpëtim Thaçi pritet të jetë drejtori i ri i Klinikës së Pulmologjisë.
Dr. Fakir Spahiu pritet të përzgjedhet shef në Repartin e Mjekësisë Nukleare.
Ndërkohë, konkursi për drejtor të Klinikës së Radiologjisë ka dështuar, pasi procesi nuk ka nxjerr një kandidat fitues.
Ka dështuar edhe përzgjedhja për drejtor të Institutit Paraklinik.
Në listë ishte vetëm një kandidat, dr. Jeton Shatri, mirëpo procesi nuk ka rezultuar me emërim.
Sa i përket Klinikës së Alergologjisë, gara ende nuk është mbyllur.
Në konkurrim për pozitën e drejtorit janë dr. Leonora Sfarça dhe dr. Bardha Selmanaj-Bislimi, ndërsa vendimi final pritet të merret në ditët në vijim.

