Ky është i riu që humbi jetën tragjikisht

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një i ri nga fshati Damanek i Malishevës ka humbur jetën tragjikisht derisa po lahej në një lumë.

Viktima është Meridon Sefer Krasniqi, i cili sipas të dhënave fillestare ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta gjatë qëndrimit në ujë.

Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe bashkëfshatarët, të cilët kanë shprehur ngushëllime për humbjen e parakohshme.

Autoritetet përkatëse në Itali pritet të hetojnë rrethanat e sakta të ngjarjes.

Gjykata në Prishtinë dënon Zogianin për shpifje ndaj ish-deputetit Ferat Shala

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e ish-deputetit Ferat Shala ndaj Avni Zogianit, duke konstatuar se një publikim në rrjetin social Facebook ka shkaktuar dëm jo-material përmes shpifjes.

Sipas vendimit të gjykatës, përmbajtja e publikuar është vlerësuar si e dëmshme për reputacionin e paditësit, duke e cilësuar si shpifje.

Ferat Shala ka deklaruar se vendimi i gjykatës konfirmon pretendimet e tij dhe se rasti nuk ka të bëjë me hakmarrje personale, por me mbrojtjen e dinjitetit dhe të vërtetës.

Ai ka shtuar se askush nuk duhet të lejojë sulme ndaj reputacionit personal apo profesional përmes publikimeve të pavërteta në rrjete sociale.

Gjykata ka theksuar se kërkesëpadia është aprovuar pjesërisht, ndërsa vendimi është marrë më 21 maj 2026.

Fundi i bosit serb të nëntokës: U arratis nga burgu në Zvicër, u ekzekutua në Serbi në prani të shefit të policisë

Mbetjet e Neshoviqit ishin djegur dhe më pas ishin betonuar brenda një fuçie vaji për motorë.

Rasti ka ndezur debate pasi dëshmon lidhjen e ngushtë mes nëntokës dhe shtetit në Serbi.

Shefi i shkarkuar i policisë, Veselin Miliq, përpara se të merrte këtë detyrë, kishte shërbyer si këshilltar i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq

Nga ana tjetër, edhe vetë vrasësi i dyshuar, Sasha Vukoviq, kishte punuar dikur si polic.

Aleksandar Neshoviq nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë europiane.

Në vitin 2000, ai u bë protagonist i faqeve të para të gazetave zvicerane. Në mars të atij viti, si një 26-vjeçar, ai ishte arrestuar në Zürich për tregti droge. Pas gjashtë muajsh në paraburgim, ai organizoi një arratisje si nëpër filma, shkruan “Blick”.

Pasi u ankua për dhimbje dhëmbi, ai u dërgua më 5 tetor 2000 nga burgu në klinikën dentare të Universitetit të Zürichut. Sapo mbërriti, dy policët shoqërues u përballën me një person të armatosur dhe të maskuar, i cili i detyroi të shtriheshin në tokë.

Neshoviq, i lidhur me pranga në duar dhe këmbë, u arratis me ndihmën e bashkëpunëtorit në një makinë “Mercedes” të vjedhur, ku po prisnin edhe dy persona të tjerë.

Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme në Zürich konfirmoi se që nga ajo ditë, ai nuk ra më kurrë në duart e drejtësisë zvicerane.

Lidhja e gangsterit me Zvicrën mbeti aktive deri në vdekjen e tij. Pas lajmit për vrasjen, një influencuese e njohur mode me banim në Zürich, e cila numëron mbi 85,000 ndjekës në Instagram, bëri një postim publik ku mbante zi për Neshoviqin, të cilin e kishte kumbar të pagëzimit.

“Ike në një mënyrë që asnjë njeri nuk e meriton”, shkroi ajo në postimin që mori rreth 5000 pëlqime, duke e cilësuar si “një baba të dytë”. Pasi u kontaktua nga gazeta zvicerane “Blick”, influencuesja zgjodhi të mos përgjigjej dhe e fshiu menjëherë postimin nga rrjetet sociale.

Vushtrriasi s’u bindet urdhrave, godet policin me veturë dhe ikë nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës po kërkon një person që dyshohet se pasi ka goditur zyrtarin policor me veturë, ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Rasti ka ndodhur pasditen e së dielës në Vushtrri, ku sipas raportit 24-orësh, i dyshuari nuk u është bindur urdhrave policor për ta ndalur veturën, me ç’rast edhe e ka goditur policin që ishte duke drejtuar komunikacionin.

Ky rast po hetohet si sulm ndaj personit zyrtar.

“Vushtrri, 31.05.2026 – 18:50. Është raportuar se derisa njësiti policor ishte në kryerje të detyrës zyrtare duke drejtuar komunikacionin, një i dyshuar me veturën e tij nuk ka respektuar urdhrin e zyrtarit policor dhe i njëjti ka ofenduar dhe ka goditur me veturë zyrtarin policor mashkull kosovar. Viktima nuk ka pësuar lëndime ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.”, thuhet në raport.

Arrestohet “polici” i rremë, patrullonte me uniformë të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për prezantim të rremë si person zyrtar.

Sipas njoftimit policor, rreth orës 14:10, një njësi policore ka hasur në një person, i cili kishte të veshura pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës. Pas verifikimeve fillestare, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Mitrovicë veri 31.05.2026 – 14:10. Njësiti policor ka hasur të dyshuarin mashkull kosovar i cili kishte të veshur pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës. Lidhur me rastin i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe nga i njëjti janë konfiskuar tri veshje të PK-së. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në raportin e Policisë.

Taksë 10 euro për hyrje në Prishtinë? LVV del me këtë qëndrim

Komuna e Prishtinës së fundmi ka vendosur në konsultim publik plotësim-ndryshimin e Rregullores për Tarifa, Gjoba dhe Ngarkesa, në të cilin parashihet vendosja e një takse prej 10 eurosh për hyrje në qytet për secilin qytetar që nuk është rezident në kryeqytet.

Një gjë e tillë ka ngjallur reagime të shumta në publik. Së fundmi vendosjen e kësaj takse e ka kundërshtuar edhe shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla.

Sveçla ka thënë se Prishtina është kryeqytet i të gjithë qytetarëve dhe se nuk duhet të ketë rampë hyrëse.

“Propozimi është i padrejtë dhe i rrezikshëm në vetvete. Problemet e trafikut duhen zgjidhur me planifikim, investime dhe transport publik më të mirë, jo me tarifa të reja për qytetarët që hyjnë në kryeqytet”, ka shkruar Sveçla në një reagim në Facebook.

Shefi i asambleistëve të LVV-së ka theksuar se ky propozim është i padrejtë ndaj qytetarëve, cenon frymën e lëvizjes së lirë dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.

Si shenjë revolte ndaj këtij propozimi, kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza kishte paralajmëruar dyfishin e taksës së propozuar nga Komuna e Prishtinës për qytetarët e kryeqytetit.

Prebreza kishte ironizuar me këtë propozim, duke theksuar se një vendim i tillë mund të pasohet me masa reciproke.

“Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendosi taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro”, kishte shkruar Prebreza muaj më parë.

“E neveritshme”,Vlora Çitaku i reagon ashpër Kurtit pasi e mitura recitoi në fushatën e LVV-së

Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pasi në fushatën e LVV-së është paraqitur një vajzë e mitur duke recituar.

këtë e ka quajtur të neveritshme dhe të papranueshme. E neveritshme. E papranueshme.

“Fëmijët duhet të jenë të mbrojtur nga politika, jo të përdoren si mjete propagande në tubime partiake.‘Albin baba’. Ky që paraqitet si intelektual, progresiv e i emancipuar, merr një fëmijë në skenë dhe e bën pjesë të lojërave të tij politike. Në vend se ta mbrojë nga politika, e përdor për politikë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej Çitaku ka thënë se fëmijët nuk janë rekuizita fushate.

“Nuk janë instrumente për kultin e individit. Nuk janë mjet për të prodhuar emocione apo duartrokitje. Paramendojeni për një moment sikur një gjë të tillë ta kishte bërë dikush tjetër.
Fëmijët duhen lënë jashtë betejave politike. Gjithmonë”, është shprehur ajo

Hykmete Bajrami i kërkon debat Kurtit dhe krejt kabinetit të tij qeverisës

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka sfiduar publikisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i bërë thirrje për një debat të drejtpërdrejtë lidhur me qeverisjen dhe premtimet e ekzekutivit.

Përmes një postimi në facebook, Bajrami ka akuzuar Kurtin për deklarata të pavërteta dhe ka thënë se ai po shmang përballjen publike me kundërshtarët politikë.

“Po gënjen publikisht.E di që Albin Kurti nuk vjen në përballje me mua. Por ju garantoj se do t’i dilja përballë jo vetëm atij, por edhe krejt kabinetit të tij qeverisës bashkë. Dhe ju garantoj se me fakte dhe me dokumente të qeverisë së tij, jam në gjendje ta demantoj secilën të pavërtetë që po e thotë sonte. Secilën. Prandaj ikë nga përballja, sepse propaganda rrëzohet kur përballet me fakte”, ka shkruar Bajrami./IndeksOnline/