Taksë 10 euro për hyrje në Prishtinë? LVV del me këtë qëndrim
Komuna e Prishtinës së fundmi ka vendosur në konsultim publik plotësim-ndryshimin e Rregullores për Tarifa, Gjoba dhe Ngarkesa, në të cilin parashihet vendosja e një takse prej 10 eurosh për hyrje në qytet për secilin qytetar që nuk është rezident në kryeqytet.
Një gjë e tillë ka ngjallur reagime të shumta në publik. Së fundmi vendosjen e kësaj takse e ka kundërshtuar edhe shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla.
Sveçla ka thënë se Prishtina është kryeqytet i të gjithë qytetarëve dhe se nuk duhet të ketë rampë hyrëse.
“Propozimi është i padrejtë dhe i rrezikshëm në vetvete. Problemet e trafikut duhen zgjidhur me planifikim, investime dhe transport publik më të mirë, jo me tarifa të reja për qytetarët që hyjnë në kryeqytet”, ka shkruar Sveçla në një reagim në Facebook.
Shefi i asambleistëve të LVV-së ka theksuar se ky propozim është i padrejtë ndaj qytetarëve, cenon frymën e lëvizjes së lirë dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
Si shenjë revolte ndaj këtij propozimi, kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza kishte paralajmëruar dyfishin e taksës së propozuar nga Komuna e Prishtinës për qytetarët e kryeqytetit.
Prebreza kishte ironizuar me këtë propozim, duke theksuar se një vendim i tillë mund të pasohet me masa reciproke.
“Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendosi taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro”, kishte shkruar Prebreza muaj më parë.
