Sherr për motive xhelozie, 24-vjeçari vriťet me thikë

Një 24-vjeçar shqiptar, i identifikuar me inicialet N. Dalipaj, ka humbur jetën pasi u godit disa herë me thikë mbrëmjen e së dielës në Vescovato, në provincën e Cremonës, Itali.

I riu u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Për rastin është ndaluar 32-vjeçari Mattia Miraglia, banues në Vescovato. Edhe ai ka mbetur i plagosur dhe po trajtohet në spitalin Maggiore, nën mbikëqyrjen e autoriteteve, shkruan Ora News.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se nisi për motive sentimentale, të lidhura me xhelozinë për një vajzë. Fillimisht, mes viktimës dhe të dyshuarit pati një debat në një lokal, i cili përfundoi pa përshkallëzim.

Më vonë, 24-vjeçari, i shoqëruar nga vëllezërit e tij, shkoi pranë banesës së 32-vjeçarit. Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, i dyshuari zbriti i armatosur me thikë, plagosi njërin nga vëllezërit e viktimës në bark dhe më pas goditi disa herë N. Dalipajn në zonën e qafës.

Plagët e marra rezultuan fatale për të riun shqiptar.

Karabinierët po vazhdojnë hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë penale.

Dorëzania prej 50 mijë eurosh, Specialja merr vendimin për Thaçin

Dorëzania prej 50,000 eurosh nuk ka mjaftuar që gjyqtari i vetëm në gjykimin e dytë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për tentim pengimi të drejtësisë, ta jap dritën e gjelbër për lirim me kusht të Thaçit nën 14 kushte që ka ofruar mbrojtja e tij në korrik të këtij viti, raporton ekskluzivisht Klan Kosova.

Gosnell ka vendosur që t’ia vazhdojë paraburgimin Thaçit edhe për dy muaj të tjerë, ndonëse e komenton si pozitive garancinë financiare të ofruar nga vëllai dhe dy miq të tij.

“Siguria financiare prej 50,000€ e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të dështimit të pjesëmarrjes në seanca, e minon edhe më një rrezik të tillë (rrezikun e arratisjes)”

Për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar të arsyetojë mundësinë reale të arratisjes, Gosnell e rrëzon këtë arsyetim për vazhdimin e paraburgimit, raporton Klan Kosova.

Megjithatë nën arsyetimin se Hashim Thaçi mund të pengojë proceset gjyqësore në zhvillim në Dhomat e Specializuara dhe mund të kryejë krime tjera të ngjashme, paraburgimi do të vazhdojë së paku deri në tetor 2026.

Thaçi është i vetmi i akuzuar në këtë rast që vazhdon të qëndrojë në Qendrën e Paraburgimit në Shevningen. Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ishin liruar me kusht nën 14 kushte përfshirë dorëzaninë, ndërkaq Hajredin Kuqi ishte lënë të mbrohet i lirë që nga fillimi i procesit.

E dhimbshme: Një person u gjet pa shenja jete në bodrumin e një banese

Një person është gjetur pa shenja jete në bodrumin e një banese në rrugën “UÇK” në Pejë, mbrëmjen e së dielës.

Lajmi u bë i ditur për Klankosova.tv nga Driton Rugova, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

“Policia është njoftuar se në bodrumin e një banese në rrugën ‘UÇK’ në Pejë ndodhej një person i shtrirë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa personi është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal në Pejë. Aty, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, ka deklaruar Rugova për Klankosova.tv.

Rugova theksoi se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes”, theksoi ai.

Dy persona arrestohen në Malishevë, tre policë bëhen për spital

Dy persona janë arrestuar në Malishevë, pasi dyshohen se kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ka sulmuar fizikisht policët edhe brenda stacionit policor.

Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Ngjarja u bë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë.

Rasti rasti ka ndodhur të shtunën, më 2 gusht.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare, si dhe brenda stacionit policor njëri prej tyre ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Si pasojë e sulmit tre zyrtarë kanë kërkuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprat “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Nëna e ish-presidentit Thaçi sot feston ditëlindjen e 89-të

Nëna e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sot e feston ditëlindjen.

Ajo ka mbushur e 89 vjet.

Edhe këtë festë, Nëna Hyrë do ta kalojë pa praninë fizike të të birit, i cili ndodhet në vitin e gjashtë në Hagë, në përballje me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ditëlindjet e saj, ajo rëndom i ka festuar me pritjen e shumë mysafirëve që i shkojnë për urime, kryesisht nga miq dhe bashkëpuntorë të shumtë të ish-presidentit Thaçi.

Ndërron jetë bashkëshorti i deputetes

Ka vdekur në moshë të re Ladi Ndoja, bashkëshorti i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët e të ndjerit, të cilët bënë të ditur se 46-vjeçari vdiq si pasojë e një arresti kardiak.

Ndërkaq, Elda Hoti, i ka dhënë lamtumirën partnerit të jetës me fjalë që shprehin dhimbjen e humbjes.

U prehsh në paqe, i miri i zemrës sime! Ladi im, shpirti im. Do na mungosh gjithë jetën“, shkruan deputetja, duke e shoqëruar mesazhin me fotografi.