VV takohet me mërgimtarët në Prishtinë, Kurti thotë se ‘‘po krijohen kushtet’’ për kthimin e tyre në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar takim me mërgimtarët në sheshin “Adem Jashari”, në kryeqytet.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili vlerësoi mërgimtarët si zgjatje dhe mundësi për Kosovën.

“Për neve bashkatdhetarët janë zgjatje e Kosovës, por njëkohësisht edhe mundësi për të.
Unë e di që secili prej juve në perëndim, prej nga do që jeni, prej Amerikës e Kanadasë, te Australia, prej Britanisë, Skandinavisë e Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë, kudo që ndodheni, jeni një lloj ambasadori i vogël i Republikës së Kosovës dhe i kombit shqiptar. Por shumë këta ambasadorë të vogël, siç është bashkatdhetari shqiptar, bashkë e bëjnë ambasadën më të madhe. Jo veç tonën, por asnjë komb tjetër unë nuk di që ka në Evropë ambasadë qysh kanë shqiptarët, për shkak të diasporës, për shkak të bashkatdhetarëve të tyre. Prandaj edhe ne u jemi pafundësisht mirënjohës e falënderues për këtë angazhim që e bëni në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërsa, theksoi se në Kosovë janë duke u krijuar kushte me qëllim të kthimit të mërgimtarëve, duke shprehur interesim për përfshirjen e tyre në institucione publike e sektorin privat.

“Në Kosovë po krijohen kushtet për shkak të sundimit të ligjit, për shkak të qeverisjes së mirë, për shkak të luftimit të korrupsionit, për shkak të investimeve në bujqësi e në ushtri, po krijohen kushtet që bashkatdhetarët me u kthy. Unë e di që shumë prej juve e keni pasur familjen këtu, po një ose dy keni shkuar në perëndim. Tash ndoshta atje jeni më shumë se këtu, por ka shumë familje që tash një ose dy po i kthejnë prej perëndimit në Kosovë, sepse këtu e kanë tokën, këtu e kanë shtëpinë, ndoshta e kanë ble edhe ndonjë banesë tjetër, dhe në këtë mënyrë kanë ku kthehen. Por edhe ne jemi të interesuar që me qindra e qindra bashkatdhetarë të kyçen në institucionet publike të shtetit e me mijëra të kyçen në sektorin tonë privat”, tha Kurti.

Musliu i bën thirrje qeverisë: Dilni zot mërgatës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ka bërë thirrje shtetit që t’i dalë për zot mërgatës, që po ballafaqohet me pritje jashtëzakonisht të gjata nëpër kufij.

Musliu thotë se mërgimtarët tanë meritojnë respekt, dinjitet dhe trajtim të denjë.

“I bëj thirrje urgjente institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme  dhe të komunikojnë me shtetin kroat dhe atë malazez për zhbllokimin e situatës, rritjen e kapaciteteve në pikat kufitare dhe ofrimin e ndihmës për qytetarët që po presin” shkroi ajo.

Ky është postimi i plotë i saj:

THIRRJE PËR SHTETIN DILNI ZOT MERGATËS!

Mërgimtarët tanë, të cilët pas një viti pune e sakrifice po udhëtojnë drejt atdheut dhe familjeve të tyre, nuk meritojnë të mbesin me orë të tëra të bllokuar në kufi. Kam informata  se në Kroaci  janë krijuar kolona të gjata dhe familje të tëra, me fëmijë e të moshuar, kanë mbetur pa ushqim, pa ujë dhe në kushte të vështira. Situatë e njëjtë është dhe në Mal të Zi.

I bëj thirrje urgjente institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme  dhe të komunikojnë me shtetin kroat dhe atë malazez për zhbllokimin e situatës, rritjen e kapaciteteve në pikat kufitare dhe ofrimin e ndihmës për qytetarët që po presin.

Mërgimtarët tanë meritojnë respekt, dinjitet dhe trajtim të denjë. Mos i lini të përballen vetëm me këtë situatë!

Deri kur Kroacia  dhe Mali i Zi do  t’i trajtojnë qytetaret tanë në këtë mënyrë. E padrejtë, e papranueshme, jonjerëzore!

Koci: Edhe një qytetar i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se edhe një qytetar i Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

Ai ka thënë se shtetsi i Republikës së Kosovës që është ndaluar në Serbi është 44-vjeçari, Mentor Mustafa nga fshati Jasenovik i Novobërdës.

Në momentin e ndalimit, sipas Kocit, ai ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën.

“Sipas deklarimit të vëllait të tij, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ndalimit, autoritetet serbe i kanë bërë me dije se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar. Informatën për këtë rast e kam pranuar pas mesnate.”, ka shkruar Koci.

Ai ka thënë se menjëherë pas njoftimit, ka filluar të angazhohet për sqarimin e rrethanave të ndalimit dhe për t’i ofruar ndihmën e nevojshme juridike.

“Do të vazhdoj të ndërmarr të gjitha veprimet që janë në kompetencën dhe mundësitë e mia për të ndihmuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij rasti. Asnjë shtetas i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me probleme jashtë vendit. Për aq sa kam mundësi, do të jem pranë qytetarëve tanë dhe do të angazhohem për t’u ofruar ndihmën e nevojshme.”, ka shkruar Koci

Nuk ndalet rritja e çmimit, sërish shtrenjtohet nafta në Kosovë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.78 euro për litër që është 1 cent më shtrenjtë se sa ditën e djeshme.

Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.50 euro për litër apo 1 cent më lirë se dje, ndërsa gazi me 0.60 euro për litër.

Sipas ministrisë, këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

Akuzat për korrupsion, lajmërohet shefi i kabinetit të Ramës: Janë pjesë e një fushate denigruese

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kryeqytetit, Florent Maliqi, ka mohuar pretendimet për korrupsion dhe bisedat e publikuara së fundmi, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe pjesë të një fushate që, sipas tij, synon dëmtimin e integritetit të tij personal dhe institucional.

Në një deklaratë të shpërndarë për media, Maliqi ka thënë se pret që çështja të zbardhet plotësisht në bashkëpunim me Prokurorinë dhe institucionet kompetente.

“Pretendimet për korrupsion dhe bisedat e tjera të publikuara janë tërësisht të pavërteta, qesharake dhe pjesë e një fushate të ulët denigruese që synon të dëmtojë integritetin tim personal dhe institucional”, ka deklaruar Maliqi.

Ai ka kërkuar që të identifikohen personat që, sipas tij, qëndrojnë prapa publikimit të këtyre pretendimeve.

“Në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë dhe institucionet kompetente, pres zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, përfshirë identifikimin e personave që qëndrojnë prapa këtij fabrikimi, denigrimi dhe linçimi publik”, ka thënë ai.

Maliqi ka bërë të ditur se do të ndërmarrë edhe hapa ligjorë lidhur me këtë çështje.

“Do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe do të angazhohem pa asnjë kompromis që ky fabrikim i ulët të zbardhet deri në fund dhe që secili person i përfshirë në organizimin, fabrikimin dhe shpërndarjen e këtyre pretendimeve të mbajë përgjegjësi para drejtësisë”, ka deklaruar shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës.

Në fund, Maliqi ka shprehur keqardhje për personat që, sipas tij, janë prekur nga publikimi i pretendimeve.

“Shpreh keqardhjen time për të gjithë ata që janë prekur dhe dëmtuar nga ky fabrikim i qëllimshëm, i ndërtuar me synimin për të linçuar, denigruar dhe manipuluar opinionin publik”, ka thënë Maliqi.

E rëndë, babai e qëllon me armë zjarri djalin e tij

Një rast i rëndë është raportuar në Suharekë, ku babai e ka qëlluar me armë zjarri djalin e tij.

Sipas Policisë së Kosovës, djali është dërguar në spitalin e Prizrenit për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, derisa nuk është bërë e ditur gjendja e tij shëndetësorë.

Pas rastit, është arrestuar prindi i tij i dyshuar, te i cili njësitet policore kanë konfiskuar armën me disa fishekë.

Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre.

“Suharekë 01.08.2026-19:00. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje, i dyshuar mashkull kosovar, e ka qëlluar me armë zjarri djalin e tij. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, si provë materiale është gjetur dhe konfiskuar arma –pistoletë  me pesë copë fishekë që dyshohet se është përdoruar në rast. Viktima është duke u trajtuar në spitalin e Prizreni, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit  është dërguar në mbajtje.”, thuhet në raport.

Ndaj tij është hapur rasti për tri vepra penale, atë të dhunës në familje, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës. /Klankosova.tv