Kjo është Bardha, gruaja që u v’ra nga bashkëshorti për xhelozi

Një debat banal për motive xhelozie ka përfunduar në një tragjedi të rëndë familjare në Shkodër, ku një grua ka mbetur e vrarë me armë gjahu nga bashkëshorti i saj.

Mediat kanë publikuar së fundmi foton e viktimës, Bardhe Ziçi, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike në pragun e shtëpisë së saj, pas një sulmi barbar nga i shoqi, Shtjefën Ziçi.

Gjithçka ka nisur brenda mureve të banesës, ku burri i ka kërkuar me ngulm bashkëshortes t’i jepte celularin, i shtyrë nga dyshimet dhe xhelozia e sëmurë.

Pas një debati të ashpër mes çiftit, situata ka degjeneruar me shpejtësi. Shtjefën Ziçi ka hyrë rrëmbimthi brenda në shtëpi, ka marrë armën e gjahut dhe ka ndjekur gruan, duke e qëlluar për vdekje pikërisht te porta e oborrit, pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi.

Ndërsa autori i krimit tashmë ndodhet në duart e drejtësisë për këtë akt makabër, familjarët dhe të afërmit janë të mbytur në zi.

Sipas njoftimeve, e ndjera Bardhe Ziçi do të përcillet për në banesën e fundit ditën e nesërme në orën 12:00, duke lënë pas një dhimbje të madhe dhe një ngjarje që ka tronditur mbarë opinionin publik.

Qeveria mban mbledhje, ndan 2.2 milionë euro

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime me ndikim financiar.

Në mbledhjen e zhvilluar në mënyrë elektronike, ekzekutivi ka aprovuar kërkesën për alokimin e ndarjeve buxhetore në vlerë prej 2,240,000 euro për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), me qëllim të mbështetjes së funksionimit të transmetuesit publik.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për kthimin e fondeve në shumën prej 48,216.57 euro, të cilat ishin transferuar më herët në Buxhetin e Republikës së Kosovës. Mjetet do t’i kthehen Ndërmarrjes Shoqërore “Magjistrala”, në përputhje me kërkesën e AKP-së.

Vendimet janë marrë në kuadër të mbledhjes elektronike të Qeverisë në detyrë.

E dhimbshme: Ndahet nga jeta në moshë të re ushtaraku Laert Ramadani

Një lajm i trishtë ka ardhur nga qyteti i Përmetit, ku ushtaraku Laert Ramadani ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Ramadani, i lindur në Piskovë të Përmetit dhe për shumë vite pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, humbi betejën me sëmundjen dhe u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare.

Mësohet se ushtaraku ishte baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.

Largimi i tij i parakohshëm nga jeta ka sjellë dhimbje dhe trishtim te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur.

Laert Ramadani ishte një ushtarak me një karrierë të pasur, gjatë së cilës mori pjesë edhe në disa misione jashtë vendit.

Hajnat godasin Xhaminë në Kaçanik, e marrin kasafortën me donacionet e besimtarëve

Një vjedhje e rëndë është raportuar mbrëmjen e së premtes në Kaçanik, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në objektin e një xhamie dhe kanë marrë kasafortën ku ruheshin donacionet e besimtarëve, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Ismail Raka”, në intervalin kohor 18:00–20:00.

Rastin në Polici e ka denoncuar B.D. rreth 45-vjeçar, imam i xhamisë, i cili ka deklaruar se persona të panjohur kanë vjedhur kasafortën ku grumbulloheshin paratë e dhuruara nga qytetarët.

Sipas informacioneve, deri në këtë fazë nuk dihet shuma e parave që ndodheshin në kasafortë në momentin e vjedhjes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Pas takimeve me PDK-në dhe LDK-në, vjen reagimi i Luan Krasniqit ndaj Kurtit

Boksieri legjendar shqiptar, Luan Krasniqi, ka reaguar në një koment në një status të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ky i fundit kishte folur për takimet me partitë opozitare, PDK dhe LDK, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja.

Përmes komentit të tij, Krasniqi i ka uruar Kurtit suksese në procesin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës, duke shprehur dëshirën që vendi të ketë sa më shpejt institucione funksionale, transmeton Indeksonline.

“Albin i nderuar, të uroj shumë suksese në formimin e qeverisë. Uroj që me përkushtim, mençuri dhe përgjegjësi të punoni gjithmonë në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës. Suksese dhe mbarësi në çdo hap”, ka shkruar Krasniqi.

Komenti i ish-kampionit të boksit ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale, ndërsa vjen në një kohë kur po vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare. Urimi i Krasniqit u interpretua si një thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi politike në interes të qytetarëve të Kosovës. /Indeksonline/