Arrestohet i dyshuari që kërcënoi Kurtin

Një shtetas i huaj është arrestuar në Pikën Kufitare në Stanqiq, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer më 12 korrik 2026, ndërsa i dyshuari kërkohej për veprën penale “Dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari dyshohet se më 30 tetor 2025, përmes një rrjeti social, ka kryer veprën penale për të cilën po hetohet.

Mësohet se rasti lidhet me kërcënimin ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i bërë përmes një rrjeti social.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Suľmohen Policia e Kosovës

Një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në Podujevë.

Sipas raportit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 korrik 2026, rreth orës 17:35, brenda stacionit policor, ku i dyshuari, i cili ndodhej i arrestuar, dyshohet se ka sulmuar dy policë gjatë qëndrimit të tij në objekt.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarët policorë dhe i dyshuari kanë pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.

Erdhi nga Gjermania për pushime në Kosovë, vdes papritur 25 vjeçari

Një lajm i keq ka goditur dje familjen Jashari dhe banorët e Prekazit të Poshtëm të Skenderajt.

Leotrim Jashari ka ndërruar jetë papritur në moshë të re.

Sipas të afërmve të të ndjerit, të cilët folën për portalin SkenderajLive, ai jetonte me familjen në Gjermani dhe kishte ardhur në Kosovë për pushime.

Të afërmit bëjnë të ditur se Leotrimi nuk kishte shfaqur më parë probleme shëndetësore, ndërsa vdekja e tij ka ardhur krejtësisht papritur, duke lënë në pikëllim të thellë familjen, miqtë dhe të afërmit.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 13 korrik 2026, në ora 17:00, në varrezat e Lagjes Jashari, në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt.