58-vjeçari godet policin në fytyrë gjatë arrestimit
Një person ka përfunduar në pranga pasi dyshohet se sulmoi fizikisht një zyrtar policor gjatë realizimit të një urdhërese në Prishtinë, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2026 rreth orës 09:40 në rrugën “Gjon Sereqi” në Prishtinë.
Sipas informatave, njësitë policore për realizimin e urdhëresave kishin ndërhyrë për ta ndaluar të dyshuarin F.K, rreth 58-vjeçar, kur situata ka eskaluar.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë intervenimit, i dyshuari dyshohet se e ka goditur me grusht zyrtarin policor në pjesën e nofullës, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Polici i lënduar ka marrë trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa kolegët e tij kanë neutralizuar dhe arrestuar menjëherë të dyshuarin në vendngjarje.
Pas arrestimit, F.K është shoqëruar në Stacionin Policor “Veriu”, ku janë intervistuar edhe dëshmitarët dhe zyrtari policor në cilësinë e viktimës.
I dyshuari është marrë në pyetje në prezencë të avokatit mbrojtës nga hetuesit rajonalë.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
