Kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, u është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptaro amerikan, ku ndër të tjera ajo vlerëson lidhjet e fuqishme të shqiptarëve me SHBA. Në letër ajo thekson ndihmën amerikane edhe për Pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen që do të vazhdojë ta japë, në qoftë se ajo do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.
“Amerikanët shqiptarë kanë bërë kontribute të çmuara për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke treguar një angazhim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe përpjekjes për liri. Janë qindra mijëra amerikanë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndresa e komunitetit shqiptar amerikan vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, nis letrën e saj Kamala Harris.
Ajo vlerëson kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro amerikanëve, të cilët thotë se tashmë shqiptarët prej punëtorëve, bizneseve të vogla, kanë arritur në profesione të ndryshme, në mjekësi, në drejtësi, e kudo në shërbime publike.
“Amerikanët shqiptarë kanë kontribuar në mënyrë të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe angazhimin e thellë ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla deri te profesionistët në mjekësi, ligj dhe shërbimin publik, amerikanët shqiptarë kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin.
Që prej më shumë se një shekulli, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot, amerikanët shqiptarë e kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë.
Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i qëndrueshëm i NATO-s, dhe jam mirënjohës për Shqipërinë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas invazionit të egër të Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Harris.
“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur Pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.
I kuptoj sfidat unike në vendin tonë, që shumë prej komunitetit shqiptaro amerikan përballen dhe unë angazhohem për politika që e fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi me mundësi dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta” ka theksuar Kamala Harris.
“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni në këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, zëvendëspresidentja amerikane, e cila po pret votën e shtetasve amerikanë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të martën, me 5 nëntor./RTK/