Akųzohej për vr’asje, ťortura e malťretime gjatë lufťës – Ekrem Bajroviqi dënohet me 12 vjet burg
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 12 vite burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Istogut.
Ekrem Bajroviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për “krime lufte ndaj popullatës civile” në Istog dhe në fshatrat përreth në vitet 1998-1999.
Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premten, më 03.07.2026, nga gjyqtari Avni Syla.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Ekrem Bajroviq detyrohet të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 300 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.
Të akuzuarit me aktvendim të veçantë iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzuan në kontest të rregullt jurdiko-civil.
Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?
Sipas Aktakuzës gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 në Istog dhe në fshatrat përreth Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale, si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.
Aktakuza thotë se në fshatin Staradran, më 08.05.1999, kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga forcat policore dhe ushtarake serbe – pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.
Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme – thuhet në aktakuzë.
Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.
Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, ku kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.
Ndërkaq, sipas Aktakuzës, i akuzuari më 07.05.1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët i kishin ndarë fillimisht nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.
Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore, e më pas i kishin transferuar në Stacionin Policor në Gurakovc.
Sipas Aktakuzës kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq me nacionalitet boshnjak, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.
Kurse më pas, sipas Aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në Stacion Policor i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore; dhunë psikike – duke i kanosur për jetë. Më tej në Aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.
Sipas Aktakuzës këto veprime sanksionohen sipas Ligjeve vendore, si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës./Kallxo,com/
