Mbyllja e qumështores “Vita”, reagon Kryeministri Kurti
Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten, një ditë pas mbylljes së qumështores Vita, të cilës iu vu dryni nga pronarët, ditën kur te kjo fabrikë zbritën inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari për të inspektuar, siç thanë, standardet e sigurisë ushqimore.
Ai i bëri këto komente pas ngjarjes ku u shpallën 556 përfituesit e Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”.
Duke folur për grantet në këtë ngjarje, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, tha se ato do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit dhe zhvillimin ekonomik të zonave rurale.
“Grantet që do t’iu jepen juve sot do të krijojnë një nxitje për prodhimin dhe produktivitetin tuaj. Ato do të mundësojnë investimet e planifikuara tash e një kohë të gjatë. Duke marrë parasysh këtë, grantet do të sigurojnë, shpresojmë, një nxitje të prekshme të ekonomisë bujqësore dhe rurale të Kosovës. Këto janë më shumë sesa grante. Kjo skemë dallon se shënon një formë të re të partneritetit midis vendeve tona. Për herë të parë, Qeveria e Kosovës i është bashkuar me fonde të dukshme të veta, duke financuar në shkallë të madhe nismat rurale”, potencoi diplomati gjerman.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se procesi i ndarjes së këtyre granteve ka qenë transparent dhe konkurrues./kp
