Analisti i njohur, Gazmir Raci i është bashkuar Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Ai do të jetë në listën e partisë së Albin Kurtit në garën për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kjo është konfirmuar nga vetë Rraci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Reagimi i plotë:
Të nderuar miq,
Dëshiroj të ndaj me ju vendimin tim për të kandiduar për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Ky vendim buron nga dëshira ime për të kontribuar në ndërtimin e një shteti të suksesshëm, sovran, të drejtë dhe të bazuar në vlera, ku dinjiteti i qytetarit është në qendër të çdo vendimi.
Do të angazhohem të jem zëri juaj në Kuvend dhe të luftoj për të drejtat, interesat dhe aspiratat tuaja, me ndershmëri dhe përkushtim.
Nën drejtimin e Kryeministrit Albin Kurti, vendi ka arritur përparime të rëndësishme.
Sot, në veri sundon rendi dhe ligji, nën sigurinë e Policisë së Republikës së Kosovës. Mbështetja për z. Kurti më 9 shkurt 2025 dhe për listën e VV është jetike për një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe me kujdes për të gjithë qytetarët.
Lidershipi i Kryeministrit Kurti dhe lista e kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! garantojnë fitoren e radhës plebishitare në Kuvendin e Kosovës.
Ftoj të gjithë qytetarët në Kosovë dhe mergatën tonë të na bashkohen në këtë rrugëtim, për të vazhduar me ndryshimin e filluar dhe të domosdoshëm.
Me respekt,Gazmir Raci.