Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se do të shkojë nesër në takimin e thirrur sot nga Albin Kurti.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi.
“Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale”.
“Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”.
“Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë”.