-4.3 C
Pristina
E diel, 24 Nëntor, 2024

Kurti kërkon hapjen e arkivave në Serbi

Kryeministri Kurti, në një tryezë diskutimi për personat e zhdukur, ka thënë se strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve po vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të Millosheviqit.

“Sivjet janë bërë 25 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë me epilog clirimin e vendit dhe popullit tonë nga Serbia pushtuese. Gjatë viteve 1998-1999 forcat policore dhe ushtarake të Serbisë, të urdhëruara nga shteti i Serbisë, kryen qindra masakra dhe mijëra zhdukje me dhunë mbi shqiptarët e Kosovës në kuadër të projektit gjenocidal për shfarosjen e popullit tonë. ‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të Millosheviqit në Beograd”.

Ai përmendi marrëveshjen e nënshkruar më 2 maj të vitit 2023 për të zhdukurit, dhe ka shtuar se Serbia nuk po i ndan të dhënat nga arkivat e tyre për gërmimin në lokacionin Gozhle.

Kurti bëri thirrje që të hapen arkivat në Serbi.

“Këtë javë pas shumë përpjekjesh e angazhimesh nga komisioni ynë qeveritar, kanë filluar përgatitjet përgatitjen për gërmime në lokacionin Gozhle mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi dhe shpresojmë që kjo nuk është një përpjeke e re e shtetit serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shenjuara nëpër Serbi. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhëna nga arkivat e tyre për këtë lokacion andaj ne edhe sot e përsërisim kërkesën tonë për hapjen e arkivave në Serbi. Në bazë të marrëveshjes sonë në Bruksel më 2 maj të vitit 2023, tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës të Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë e sidomos në rajonin e Drenicës”.

Kurti tha se 1 mijë e 585 persona janë zhdukur gjatë luftës.

“Kemi nevojë për drejtësi që ekzekutorët e urdhërdhënësit të vendosen prapa grilave. Kemi nevojë edhe për mbështetja ndërkombëtare por edhe për mobilizimi kombëtar. Kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësi sepse këto krime sikurse që nuk vjetrohen, as nuk falen”.

“Qeveria është e përkushtuar në trajtimin e çdo informate që kontribuon në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur. Sipas të dhënave të komisionit tonë qeveritar janë rreth 13 lokacione brenda territorit të Kosovës të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues”, tha ai.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here