Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Macron e nisi një vizitë dyditore në Beograd të enjten, ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale.
I pyetur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Macron tha se kjo çështje “nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”.
“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, ka thënë Macron, me gjasë duke iu referuar vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ai theksoi se Franca dëshiron që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Jini të sigurt se Franca do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje të veçantë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë dhe, në këtë kontekst, jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur në të kaluarën marrëveshje për themelimin e tij, për të janë hartuar drafte e propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është formuar kurrë.