Qeveria e Venezuelës ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për qytetarët e saj, duke i këshilluar të shmangin udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara dhe duke u kërkuar atyre që tashmë jetojnë atje të largohen menjëherë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme, thuhet se SHBA është një “vend i rrezikshëm ku të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë për emigrantët”. Ministria u bëri thirrje venezuelianëve që të “mbrojnë jetën e tyre dhe atë të familjeve të tyre dhe të kthehen në atdhe”.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, deklaroi se është veçanërisht e rrezikshme të jesh një migrant me prejardhje latino-amerikane, afrikane apo venezueliane në SHBA, duke përmendur si shembull deportimin e qindra migrantëve në një burg me siguri maksimale në El Salvador, ku sipas tij ata jetojnë në “kushte çnjerëzore” dhe i nënshtrohen “torturës psikologjike”.
Ky paralajmërim i Venezuelës pason një alarm të ngjashëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili javën e kaluar këshilloi qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Venezuelë dhe të largohen sa më shpejt nga vendi, për shkak të “rreziqeve serioze” të ndalimeve arbitrare, krimeve të dhunshme dhe trazirave civile.
Aktualisht, SHBA nuk ka as ambasadë e as konsullatë funksionale në Venezuelë, çka e bën të pamundur ofrimin e ndihmës për qytetarët e saj në territorin venezuelian.