22.7 C
Pristina
E diel, 15 Qershor, 2025

Qeveria e Kosovës: Irani të ndalojë veprimet hibride, zgjidhja diplomatike është rruga e duhur

Qeveria e Kosovës ka thënë se Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe se rruga diplomatike është e duhura për ta zgjidhur konfliktin, pas përshkallëzimit të situatës me Izraelin.

Që nga e premtja, Izraeli dhe Irani kanë intensifikuar sulmet ndaj njëri-tjetrit. Izraeli nisi sulmet duke synuar objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, e më pas erdhi kundërpërgjigja nga Teherani.

“Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Duke iu referuar të dhënave të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), ku theksohet se Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore, Qeveria e Kosovës ka thënë se Teherani duhet të ndalë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe “t’i përmbahet detyrimeve të IAEA”.

“Zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe parandalimin e pasojave më të gjera rajonale e globale”, thuhet më tej në deklaratë.

Qeveria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që ndodhen në rajon apo kanë kontakte atje, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe të autoriteteve lokale.

Në përfundim, Qeveria ka thënë se riafirmon përkushtimin e saj ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga konflikti aktual.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here