Kurti jep njoftimin e rëndësishëm

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova ka siguruar gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pas miratimit të projekteve në kuadër të programeve IPA 2026, IPA 2027 dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Sipas Kurtit, Bashkimi Evropian e ka njoftuar zyrtarisht Kosovën më 7 korrik se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në vlerë prej 180.5 milionë euro. Pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe nënshkrimit e ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi, projektet do të nisin zbatimin.

Ai bëri të ditur se fondet do të investohen në fushat prioritare të vendit, përfshirë mjedisin dhe klimën, energjinë, menaxhimin e kufijve dhe migrimin, konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Rreth gjysma e mjeteve do të destinohen për investime infrastrukturore.

Kurti njoftoi gjithashtu se janë miratuar edhe tri grante nga WBIF në vlerë totale prej 25.9 milionë euro, të dedikuara për përgatitjen e investimeve në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë dhe për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, ky i fundit me grant investues prej 24.3 milionë euro në bashkëpunim me BERZH.

Në fund, Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se këto fonde do të shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve dhe zhvillimin e Kosovës.

Pas certifikimit të zgjedhjeve, Kryesia e LDK-së mblidhet sot

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të mblidhet sot pasi dje u bë certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.

Mbledhja e Kryesisë së LDK-së është paraparë të nisë në orën 15:00, ndërsa lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.

Takimi vjen një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në këto zgjedhje, LDK ka marrë 16.69 për qind të votave, duke siguruar 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pritet që në këtë mbledhje të diskutohen zhvillimet e fundit politike pas përfundimit të procesit zgjedhor, si dhe hapat e ardhshëm të partisë në kuadër të formimit të institucioneve të reja.

Ky është afati i fundit për thirrjen e seancës

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur afati ligjor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

KQZ-ja certifikoi sot rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, me votat e nëntë anëtarëve të këtij institucioni. Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, rezultatet kanë mbetur të pandryshuara nga ato të shpallura më herët.

Me certifikimin e rezultateve, fillon të llogaritet afati kushtetues për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. Sipas nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës, seanca e parë e legjislaturës së re duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve.

Kjo nënkupton se data e fundit për thirrjen e seancës konstituive është 7 gushti 2026.

Ndërkohë, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të përmbyllet brenda këtij afati, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Tashmë mbetet që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapat e radhës për formimin e legjislaturës së re.