25.8 C
Pristina
E martë, 8 Korrik, 2025

Vëllai i Agonit: Kishte mbi 20 shenja në trup, policët e arrestuar i njoh personalisht

Alban Zejnullahu, ka treguar se vëllai i tij Agon Zejnullahu, kishte shenja të mëdha në trup.

Sipas tij kishte 20 shenja duke pretenduar se mund të kishte edhe gjymtyrë të thyera.

“Ka pasur mbi 20 shenja në trup. Vetulla ka qenë e çarë, balli me shenja dhe ka pasur goditje në qafë. Ka shenja shumë të theksune në bri sa mendoj se i ka të thynë, këmbët i ka pasur me gunga. Nuk ka ndonjë pjesë të trupit që nuk ka pasë goditje”, tha ai në një prononcim për Insajderin.

Alban Zejnullahu tha se zyrtarët policor që u arrestuan dje, ishin edhe në emergjencë kur familjarë kanë shkuar atje pasi kanë marrë lajmin për vdekjen e tij.

Ai tha se policët i njeh personalisht dhe nuk i shprehen ngushëllime

“Policet e arrestun i kemi pa ne emergence kur kemi shku. Shumicën prej tyne I njoh personalisht ama atë nate mbajshin distancë, as per me m’shpreh ngushëllime nuk jane afru. Përveç njanit”, tha ai.

Te pesë zyrtarët policorë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë.

Gazeta Insajderi ka raportuar se në Inspektoratin Policor të Kosovës që po e heton rastin me autorizim të Prokurorisë, tashmë ka arritur raporti fillestar i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Raporti preliminar, konstaton në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.

Në raportin fillestar ende nuk është specifikuar nëse ndrydhja ka shkaktuar sulmin në zemër, apo asfiksion (pengim të rrugëve të frymëmarrjes), por një zgjerim i raportit pritet të bëhet ditëve në vazhdim.

Ditëve në vazhdim, IML pret, siç merr vesh Insajderi, që të përfundoi edhe raportin në pjesën tjetër, sa i përket toksikologjisë, duke dalë me rezultate se çfarë lloje substancash mund të ketë pasur në trup viktima para se të ndërronte jetë.

Pesë policë u arrestuan për veprën penale “Vrasje nga Pakujdesia” për rastin e arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, i cili dyshohej se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Insajderin ka konfirmuar arrestimin e policëve, por refuzoi të japë më shumë detaje meqë tha se mund të dëmtohet integriteti i hetimeve.

“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, tha prokuroria në përgjigje.

Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë.

Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here