Seanca e radhës ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselit ,Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, do të mbahet të hënën. Caktimi i seancën vjen pas përfundimit të ekzaminimit psikiatrik të Murselit.
Nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë deklaruar se gjetjet e ekspertizës do të bëhen publike në seancë.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, nuk është përgjigjur nëse e kanë pranuar ende raportin e hartuar nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. është caktuar të mbahet me datë 14 korrik 2025, në ora 09.00. Për njoftimin tuaj në seancën e shqyrtimit gjyqësor do të informoheni me gjitha detajet, të cilat kanë të bëjnë me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Gashit për Reporteri.
Në raportin që është publikuar në media, tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo të përhershëm.
Raporti konstaton se Murseli mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të kuptojë akuzën dhe të përballet me gjykimin.
“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij. Kjo është bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës, për të cilën akuzohet”, thuhet në raport.
I njëjti, thekson raporti, është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm.
“I qetë në aspektin psikomotor. Bashkëpunues, i përgjigjet thirrjes për bisedë. Kontakti me sy vihet dhe mbahet. Kontakti verbal vihet dhe mbahet pa insistim. Rrjedha e të folurit normale pa ndryshime në të folur. Flet qartë dhe i përshkruan të gjitha ngjarjet në detaje. Nuk mungon spontaniteti”, thuhet në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Naim Muselit.
Pas publikimit të raportit në media, ka reaguar edhe vëllai i Liridonës, Leonardi.
Ai ka shkruar se presin gjykim të drejtë dhe profesional.
“Ne si familje e mirëpresim raportin e Forenzikës në lidhje me rastin e vrasjes së Liridonës tonë dhe shpresojmë që gjykata do të vazhdojë të procedojë shpejtë me rastin ashtu siç ka bërë deri më tani. Ne duam drejtësi të shpejtë. profesionale, pa gabime dhe vendosshmëri nga ana e gjykatës që të mos lejojë që ky rast të zvarritet me vite”, ka pohuar ai, përmes një postimi në Facebook.