Pas publikimit të vendimit nga Trepça Sh.A. për shkëputjen e kontratës së punës me punëtorin Fuad Maliqi për mungesë në vendin e punës, ka reaguar vetë Maliqi përmes një deklarate publike, ku jep versionin dhe arsyet e tij për mungesën pesëjavore.
Në shkrimin e tij, Maliqi pranon se nuk ka qenë prezent në punë për pesë javë, por thekson se kjo erdhi pas viteve të tëra të sakrificës, ku përmend pesë lëndime fizike në vendin e punës dhe punë në kushte të pasigurta, pa kërkuar kurrë më shumë sesa dinjitet dhe respekt.
“Nuk ishte mungesë përgjegjësie ajo që më detyroi të largohem – por mungesa e shpresës,” shkruan ai, duke theksuar se ndjehej i harruar dhe i trajtuar si një numër, jo si një njeri. Sipas tij, vendimi për largim nga puna është marrë pa tentuar të dëgjohet ose të kuptohet situata e tij.
Në rrëfimin e tij emocional, Maliqi tregon se është detyruar të largohet nga vendi për të filluar një jetë të re në Gjermani, si shumë të tjerë që, sipas tij, nuk emigrojnë për dëshirë, por për të mbijetuar.
“Trepça ka qenë krenaria e Kosovës. Por pa dinjitetin e punëtorëve të saj, ajo humb kuptimin,” shkruan ai në fund, duke e cilësuar deklaratën e tij si një kujtim, një thirrje dhe një protestë të heshtur për punëtorët që punojnë në terr, dhembje dhe heshtje.