Zhvillimet e fundit në LDK, reagon edhe Hykmete Bajrami

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në parti dhe kërkesave për përgjegjësi politike pas rezultatit në zgjedhje.

Ajo tha se LDK-ja duhet të mbajë zgjedhje të brendshme dhe të reflektojë për rezultatet zgjedhore.

“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme. Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka përmendur edhe Kuvendin e fundit të LDK-së, duke theksuar se rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar në favor të dorëheqjes së kryetarit,.

“Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim. Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme. Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend. Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë”, tha ajo.

Bajrami shtoi se LDK ka nevojë për reflektim dhe përgjegjësi.

“Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!”, ka shkruar ajo.

Kurti del me njoftim për formimin e institucioneve të reja

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka përsëritur edhe sot se po pret certifikimin e zgjedhjeve të 7 qershorit, për të nisur diskutimet për formimin e institucioneve të reja.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë ri përsëriti se Kosova nuk ka pasur nevojë për zgjehdjeve, dhe sipas tij, rezultati e dëshmoi këtë.

Ai tha sot se pas certifikimit të zgjedhjeve do të nis puna për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe pastaj zgjedhja e presidentit apo presidentes, transmeton Zeri.info.

“Posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: Konstitumin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, Formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë këtë të mërkurë.

Ndërron jetë veterani që barti armatimin për nevojat e UÇK-së

Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Zymeraj nga Guri i Kuq.

Për vdekjen e tij është shprehur i pikëlluar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka thënë se Zymeraj ka dhënë kontribut të çmuar në luftën për liri, duke marrë pjesë edhe në bartjen e armatimit nga Shqipëria për nevojat e UÇK-së.

“Në shtator të vitit 1998, u arrestua në malet e fshatit të tij, i veshur me uniformën e UÇK-së, ndërsa bashkë me të u arrestua edhe djali i tij, Blerimi. Gjatë qëndrimit në burgun e Dubravës, përjetoi masakrën ku u plagos rëndë në të dyja këmbët, duke mbetur invalid i luftës. Sot u nda nga ne një luftëtar i lirisë, një njeri i ndershëm dhe një prind shembullor, i cili me mund e sakrificë rriti 8 djem dhe 3 vajza. Familjes Zymeraj, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të afërmve, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Qoftë i paharruar kujtimi për bacën Ramadan!”, ka shkruar tutje ai.

Mërgimtarja nga Kosova humb jetën në një aksident

Në një aksident trafiku në Francë, më 22 qershor 2026, raportohet se ka humbur jetën Besire Kolgeci-Baraliu nga fshati Bukosh.

Siç raportojnë mediat lokale, duke cituar familjarët, në aksident janë lënduar edhe bashkëshorti i saj dhe dy djemtë, të cilët po marrin trajtim mjekësor në një spital në Bazel.

Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë njoftim nga kryetari i kësaj komune.

Qeveria në detyrë mblidhet sot, ky është rendi i ditës

Sot mbahet mbledhja e Qeverisë në detyrë të Kosovës, ku në rend dite janë 14 pika.

Ndër to përfshihen shqyrtimi i kërkesave për shpronësim për interes publik në kuadër të projekteve rrugore, rialokimi i mjeteve buxhetore në disa ministri, emërimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe nisma për lidhjen e një marrëveshjeje granti për forcimin e sistemit shëndetësor.

Gjithashtu, në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen edhe kërkesat e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe çështje të tjera nga fusha e përgjegjësive qeveritare.